Këtë të mërkurë në Kosovë mbërriti këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet i shoqëruar nga nga amabsadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier dhe i dërguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ai ka takuar Presidenten Vjosa Osmani dhe më pas do të pritet edhe nga Kryeministri Albin Kurti.
Siç njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit, Chollet në këto takime do të diskutojë përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar avancimin e integrimeve Euro-Atlantike për Kosovën. Këtu përfshihet edhe angazhimi nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të fokusuar në njohjen e ndërsjellë.
Më 12 janar, Chollet do të udhëtojë në Beograd, ku do të diskutojë rreth rolit të Serbisë për përforcimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Vizita e Chollet në Kosovë dhe Serbi vjen disa javë pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, që kulmoi me vendosjen e barrikadave nga grupe të serbëve lokalë në veri të shtetit, për shkak të arrestimit të një ish-polici serb.
Vetë Chollet deklaroi se u shpenzuan kohë në përpjekjet diplomatike në uljen e tensioneve, në vend se palët të përqendroheshin në dialog.
Në këtë drejtim, ai ka përmendur planin franko-gjerman, apo siç po quhet së fundi edhe si plani i BE-së, që synon çuarjen përpara të dialogut drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
Top Channel