Dyshohet se kishte lidhje me grupin ShinyHunters, policia holandeze arreston 24-vjeçarin: Vodhi të dhënat e ndjeshme të 38 mijë punonjësve të FBI-së
Dy ish-ministra të qeverisë së Viktor Orbánit në Hungari janë arrestuar nën dyshimet për keqpërdorim të fondeve publike dhe marrje ryshfetesh, disa orë pasi parlamenti votoi për heqjen e imunitetit të tyre.
Balázs Hankó, ish-ministër i Kulturës dhe deputet i partisë nacionaliste Fidesz, u ndalua të hënën vonë nën dyshimet për përvetësim të fondeve publike. Ai i ka mohuar akuzat.
Në një hetim tjetër, Miklós Seszták, ish-ministër për Zhvillimin Kombëtar dhe deputet i partisë aleate KDNP, u arrestua nën dyshimet për marrje ryshfetesh. Edhe Seszták ka mohuar çdo shkelje.
Arrestimet shënojnë hetimet e para për korrupsion ndaj figurave të larta të qeverisë së mëparshme që drejtoi Hungarinë për më shumë se 16 vjet nën Orbánin.
Prokurorët pretendojnë se Hankó ka mbikëqyrur keqpërdorimin e rreth 17.3 miliardë forintëve, ose 47 milionë eurove, nga Fondi Kombëtar Kulturor i Hungarisë.
Sipas hetimit, fondet dyshohet se janë kanalizuar drejt artistëve dhe organizatave me lidhje me Fidesz, si dhe janë përdorur për financimin e fushatës zgjedhore të vitit 2026. Hankó i ka hedhur poshtë akuzat.
“Ndërgjegjja ime është e pastër, ky është një gjyq spektakël politik”, tha ai në një video të publikuar pak para arrestimit.
Në korrik, policia kishte bastisur zyrat e Fidesz dhe kishte sekuestruar serverët e partisë në kuadër të hetimit për keqpërdorim të dyshuar të fondeve të Fondit Kombëtar Kulturor.
Orbán e kishte kritikuar atëherë hetimin, duke e akuzuar qeverinë e re për përpjekje për ta dëmtuar politikisht partinë e tij.
Prokurorët dyshojnë se Miklós Seszták ka marrë më shumë se 12 miliardë forintë, rreth 32.6 milionë euro, në ryshfete dhe pagesa të lidhura me prokurimet publike.
Hetimi lidhet me blerjen e autobusëve të përdorur për kompaninë shtetërore të autobusëve në Hungari, ku autoritetet dyshojnë se çmimet mund të jenë fryrë në mënyrë të paligjshme.
Hetimi përfshin gjithashtu projekte të tjera të ndërtimit publik. Seszták, i cili shërbeu si ministër për Zhvillimin Kombëtar nga viti 2014 deri në vitin 2018, i ka mohuar akuzat.
Top Channel