Stabiliteti në Kosovë, ambasada e SHBA-së: KFOR-i ka të gjithë mbështetjen tonë Partitë politike nuk kanë gjetur asnjë kandidat e as nuk kanë arritur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri, kur kanë mbetur vetëm edhe shtatë ditë deri në përfundim të afatit kushtetues.
Pas një takimi mes kryeministrit Albin Kurtit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ky i fundit tha se për të diskutuar për presidentin, fillimisht duhet të aprovohet projektligji për plotësim-ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, nismë e iniciuar nga partia e tij.
Por, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj, për zgjedhjen e presidentit, thonë se duhet konsensus i partive politike e kujdes i shtuar për ndryshimet ligjore pas vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kemi të bëjmë me afate koncize, kemi të bëjmë me presion, por po e ripërsëris, emëruesi i përbashkët në interes të Republikës është mosshkuarja në zgjedhje”, tha ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, çështja e zgjedhjes së presidentit është çështje e vullnetit politik, derisa kërkojnë që ndryshimet e ligjit për Specialen të kryhen para 6 tetorit.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës asnjë temë nuk është më e rëndësishme se ligji në këtë moment. Çështja e presidentit është çështje e konsensusit dhe vullnetit politik”, tha deputeti i PDK-së, Arian Tahiri.
Gjykata Kushtetuese, me një vendim të nxjerrë javën e shkuar, qartësoi se afati për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës përfundon më 6 tetor. Në rast se nuk zgjidhet presidenti brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, për herë të katërt në më pak se dy vjet.
Top Channel