Jeta e Gianluca Viallit, nga Championsi i fundit i Juves si lojtar e trajner te Chelsea

06/01/2023 15:58

Bota e futbollit sërish në zi. Pas vdekjes së Sinisa Mihajlovic, dhe Pele, këtë të premte në Londër ku ishte shtruar në spital, u shua edhe një tjetër kampion, Gianluca Vialli.

Ish-sulmuesi i Cremonese, Sampdoria, Juventus e Chelsea, përveçse një bomber i kombëtares italiane, ishte 58 vjeç dhe prej kohësh i sëmurë.

Në 14 dhjetor kishte lajmëruar se i duhej të ndërpriste impenjimet e tij me kombëtaren italiane, ku ishte pjesë e stafit, për t’u përqendruar në betejën kundër një tumori në pankreas. Vialli kishte bërë të ditur se ishte i sëmurë fillimisht në një intervistë në nëntorin e 2018-ës.

Familja e Gianluica Vialli, konfirmoi vdekjen e ish kampionit nëpërmjet një komunikate ku shkruhej: “Me trishtim të papërshkrueshëm lajmërojmë vdekjen e Gianluca Vialli. I rrethuar nga familja u shua mbrëmjen e djeshme pas 5 vjetësh sëmundjeje të përballuar me kurajo e dinjitet. Kujtimi dhe shembulli i tij do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona”.

Vialli, në 19 vitet e karrierës si futbollist ka luajtur mes Serise A, Premier League dhe Kupave europiane 673 ndeshje, duke shënuar 259 gola! Me fanellën e kaltër të Italisë u rendit i treti në Botërorin Italia 90, teksa ka luajtur 59 ndeshje me kombëtaren duke shënuar dhe 16 gola.

Si trajner u impenjua në stolin e Chelsea nga 1998 në 2000, ( për 6 muaj ishte njëkohësisht trajner dhe futbollist), teksa drejtoi dhe Watford në sezonin 2001-2002. Në 2015 u përfshi në Hollin e Famës të futbollit italian. Nga nëntori i 2019 ishte bërë pjesë e Federatës Italiane të Futbollit si shef i delegacionit të kaltër, përkrah mikut dhe shokut të sulmit në kohët e Sampdorias, Roberto Mancini.

Arkivi i tij i trofeve është shumë i pasur: Dy tituj kampion (me Sampdorian dhe Juven), një Superkupë Uefa (Chelsea 1998), një Kupë Uefa, (Juventus 1992-1993), dy Kupa Kupash (Samp 1989-1990 dhe Chelsea 1997-1998), një Kupë Anglie (Chelsea 1996-1997), 4 Kupa të Italisë (një me Juventusin dhe tre me Sampin), një Kupë Lige në Angli dhe 2 Superkupa italiane.

Si trajner në drejtimin e Chelseat fitoi edhe një Kupë Anglie dhe një Charity Shield. Gianluca Vialli lë bashkëshorten Cathryn, me të cilën u martua në 2003 dhe dy vajza, Olivian dhe Sofian.

Top Channel