Jo vetëm paratë, Real Madrid synon ta bindë talentin e Dortmund falë projektit

05/01/2023 19:15

Real Madrid është një nga klubet që së fundmi po aplikon strategjinë për t’i besuar të rinjve.

Aktualisht në organikën e madrilenëve janë emra si Vinicius Junior, Rodrygo, Camavinga, Valverde ndërsa në vitin 2024 pritet të mbërrijë edhe fenomeni brazilian Endrick.

Sakaq, objektivi i radhës për Los Blancos është Jude Bellingham, britaniku i talentuar që aktualisht aktivizohet në radhët e Borussia Dortmund. 19-vjeçari e tregoi edhe në Botëror se është tashmë një lojtar i maturuar dhe në këtë formë, Real po bën çmos që ta transferojë në merkaton e verës teksa i duhet të mposhtë konkurrencën e Liverpool që prej një viti ka nisur punën për të bindur Bellingham dhe Dortmund.

Megjithatë, është pikërisht projekti bazuar tek të rinjtë ai me të cilin Real Madrid synon t’i “mbushë mendjen” Bellingham pasi drejtuesit spanjollë janë të bindur se vetë lojtari e vlerëson projektin e një klubi dhe jo vetëm paratë.

Vetë zgjedhja e Bellingham për t’u transferuar te Dortmund duke lënë mënjanë oferta si ajo e Manchester United, i jep shpresë Realit se 19-vjeçari vlerëson projektin e një klubi. Nëse Real Madrid ia del më sukses të transferojë Bellingham, atëherë mesfusha e vjetër e spanjollëve do të zëvendësohej plotësisht pasi Modric e Kroos tashmë duket se e kanë mbyllur ciklin në Santiago Bernabeu.

Top Channel