Një maroken rivalizon Ronaldon, ka shënuar 95 gola në 94 ndeshje

01/01/2023 14:50

Viti 2022 u mbyll me lajmin e bujshëm të transferimit të Cristiano Ronaldos te sauditët e Al Nassr, me CR7-ën, që për herë të parë në karrierë largohet nga Europa.

Një eksperiencë totalisht për t’u zbuluar ajo e portugezit, në një kampionat të panjohur, me një pagë stratosferike dhe një rival të ri, me të cilin do të duelojë për rolin e protagonistit.

Bëhet fjalë për Abderrazak Hamdallah, një sulmues maroken jo fort i njohur, që luan me Al Ittihad dhe ka shifra shënimi që do t’i kishin zili shumë të tjerë. Plot 95 gola në 94 ndeshje, e kanë bërë Hamdallah një idhull në Arabi dhe me të drejtë e shohin si rivalin në distancë të Cristiano Ronaldos.

Jo vetëm kaq, sulmuesi Hamdallah ka treguar gjithë karrierën e tij se e ka në gjak golin, pasi ka shënuar 25 gola në 32 ndeshje në kampionatin maroken dhe po kaq në kampionatin kinez, ndërsa në Norvegji numëron 15 gola në 27 ndeshje.

Me 32 vite mbi supe, Hamdallah e ka kaluar prej kohësh shifrën e 200 golave në karrierë, teksa tani do të ketë një motivim ekstra, të rivalizojë me 5 herë fituesin e Topit të Artë, Cristiano Ronaldo, për kreun e listës së golashënuesve.

Top Channel