Klopp: Pele më tregoi se edhe njeriu më i famshëm në planet mund të jetë normal

31/12/2022 12:06

Bota e futbollit ende po vajton humbjen e një prej më të mëdhenjve në histori.

Ndarja nga jeta e Pelésë nuk lë askënd indiferent, madje as trajnerin e Liverpoolit Jurgen Klopp, i cili nuk ngurroi të jepte opinionin e tij për këtë figurë emblematike të futbollit.

“Pavarësisht se çfarë do të më thonë, Pelé ishte më i miri. Nuk do ta harroj atë”, tha gjermani.

Trajneri i Liverpoolit pati mundësinë ta takonte në një event në vitin 2006 së bashku me një tjetër legjendë, Franz Beckenbauer.

Pelé i dha atëherë një fanellë të firmosur të Brazilit me numrin 10 në ditëlindjen e tij.

“Ata të dy më treguan se edhe personi më i famshëm në planet, mund të jetë një djalë krejtësisht normal”.

Ky ishte për Klopp “një mësim, është diçka që nuk do ta harroj kurrë. Dhe si i krishterë, mendoj se kjo nuk ka përfunduar për të. Tani ai do të luajë futboll në një stadium të mrekullueshëm me lojtarë fantastikë nga e kaluara”, shtoi trajneri gjerman.

Edson Arantes do Nascimento u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare, pasi ishte shtruar në spital që prej një muaji. Miti brazilian u diagnostikua me kancer të zorrës së trashë në vitin 2021 dhe u desh të shtrohej në spital në disa raste për shkak të problemeve shëndetësore. Situata u përkeqësua në dhjetor 2022 me probleme me veshkat derisa drita e tij u shua më 29 dhjetor.

Top Channel