Milani rrit ofertën për Leaon, tifozët përgatiten për “tym të bardhë”

29/12/2022 14:26

Leao është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Milanit dhe me të drejtë drejtuesit e klubit kuqezi e kanë në krye të listës së prioriteteve rinovimin me portugezin.

Negociatat kanë nisur prej kohësh, por marrëveshja ende nuk është arritur. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane diçka e tillë mund të ndodhë shumë shpejt, kjo për faktin se dyshja Maldini dhe Massara kanë vendosur që të rrisin ofertën e tyre.

Kontratat aktuale e Leaos skadon në qershor të 2024, por tifozët janë të dashuruar me sulmuesin dhe nuk duan që ai të largohet nga San Siro. Në ditët e para të janarit pritet që drejtuesit të kenë një takim me përfaqësuesit e lojtarit, për t’i bërë propozimin e radhës, çka mund të zgjidhë ngërçin e rinovimit. Pritet që futbollisti të ketë përpara një kontratë të re me një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon.

Një shifër e konsiderueshme, por që mbetet larg ofertës së Manchester City, që është gati të ofrojë 12 milionë euro në sezon për 23-vjeçarin. Edhe Chelsea apo dhe skuadra të tjera në Angli, janë gati të shpenzojnë më tepër për Leaon, por ky i fundit dëshiron të respektojë Milanin. Në mes është dhe një tjetër çështje që mund të peshojë, gjoba prej 19 milionë eurosh që lojtari duhet të paguajë tek Sportingu i Lisbonës, me kuqezinjtë gati për ta ndihmuar në shlyerjen e kësaj shume.

Leao ndihet i lumtur te Milani, ai e ka reflektuar këtë ndjesi edhe në rrjetet sociale, duke e konsideruar klubin kuqezi si shtëpinë e tij të dytë. Pak ditë më parë dhe Zlatan Ibrahimovic e këshilloi portugezin që të qëndronte te Milani, fjalë që duket se peshojnë tek sulmuesi, i cili tani duhet të vendosë për të ardhmen e tij, kur i ka mbetur dhe 1 vit e gjysmë kontratë.

Top Channel