I papërmbajtshëm Haaland/ Manchester City fiton me Leeds, tani pesë pikë pas Arsenalit

29/12/2022 12:59

Erling Haaland është i pandalshëm në Premier League angleze.

Sulmuesi norvegjez ishte protagonist në fitoren e Manchester City në transfertën ndaj Leeds me rezultatin 3-1 me dygolëshin e tij që e redukton në 5 pikë diferencën me Arsenalin që kryeson renditjen e kampionatit.

Në Elland Road, skuadra kampione e Anglisë e dominoi pjesën e parë duke krijuar shumë raste në portën e Leeds, por rezultatin e zhbllokoi vetëm në minutat shtesë të këtij fraksioni loje me anë të Rodrit. Pjesa e dytë nisi ashtu sikurse u mbyll e para me një gol të Citizens që përfituan nga një gabim në mbrojtje i Leeds, Haaland shfrytëzoi në maksimum një asist të Grealish duke e cuar rezultatin e ndeshjes në 2-0.

Por norvegjezi nuk kishte ndëmend të ndalej këtu. Në minutën e 64, Haaland shënoi edhe golin e tretë për Manchester City dhe të 20 në këtë sezon në 14 ndeshje të Premier League që përbën një rekord absolut, pasi askush më parë nuk ka mundur të shënojë këtë numër golash në kaq pak ndeshje, ndërkohë në total, në të gjitha kompeticionet, Haaland shkon në 26 gola në këtë sezon.

Në minutën e 74, Leeds shënoi me Struijk duke e shkurtuar diferencën në 3-1, por nuk mundi t’i rihapë llogaritë e kësaj sfide dhe në fund trepikëshin e mori Manchester City që ndodhet në vendin e dytë.

Top Channel