Histori e pazakontë/ U rendit i katërti në Botëror, por klubi i tij e përjashton

28/12/2022 08:54

Selim Amallah shkroi historinë me Marokun duke e mbyllur Botërorin në vendin e katërt. Mesfushori i Standard Liège ishte një nga lojtarët më të përdorur nga trajneri Walid Regragui.

Ish-futbollisti i Mouscron dhe Tubize u aktivizua në shtatë ndeshjet që “Luanët e Paepur” luajtën në Katar. Për më tepër, ai ishte titullar në katër prej tyre, duke përfshirë fitoret kundër Spanjës (0-0) dhe Portugalisë (1-0).

Ëndrra që ai jetoi në “Katar 2022” është shkatërruar sapo u rikthye në Belgjikë. Kontrata e Amallah përfundon në qershor (më 1 janar ai është i lirë të negociojë me çdo skuadër), por Standard Liege ka vendosur ta largojë për shkak të refuzimit të tij për të rinovuar kontratën.

“Kemi vendosur të dërgojmë Selim Amallah dhe tre lojtarë të tjerë te moshat. Nuk do të bëjmë asgjë për të rritur vlerën e lojtarëve që do të largohen falas”, ka pranuar hapur Pierre Locht, president i Standardit.

“Ne nuk do të bëjmë punën e pistë për skuadrat e tjera. Gjëja më e lehtë do të ishte t’i linim të luajnë, por do të bëhej një sinjal i rrezikshëm. Të pranosh që mund të vazhdosh të luash dhe pastaj të largohesh falas do të ishte vdekja e klubi,” – insistoi Locht.

Top Channel