Moukoko: Nuk lejoj njeri të më bëjë presion për të ardhmen, mos besoni çdo gjë që thuhet

27/12/2022 14:15

Youssoufa Moukoko e bën të qartë se do të vendosë me kujdes për të ardhmen e tij dhe se nuk lejon asnjëri që t’i bëjë presion në lidhje me këtë çështje.

Sulmuesit të Dortmund i përfundon kontrata aktuale në qershor të 2023-shit dhe për rrjedhojë që nga 1 janari mund të firmosë me çdo klub tjetër.

Ndërsa në mediet gjermane po raportohet vazhdimisht për shumë klube që kanë shfaqur interes për 18-vjeçarin, ndër emrat që ka kohë që e ndjek, por që pëlqehet edhe nga vetë sulmuesi është Barcelona.

Megjithatë për të mos ndjerë presion në një moment shumë të rëndësishëm për të ardhmen e tij, Moukoko reagoi në rrjetet sociale duke u bërë të ditur të gjithëve që do të jetë ai që do të vendos dhe pa u ndikuar nga askush, ndërsa ka kërkuar të mos besohet çdo gjë që shkruhet nga mediet.

“Ju lutem, mos i besoni të gjitha ato që janë në gazeta. E di që gjithçka është pjesë e biznesit të futbollit tani, por edhe pse jam i ri, nuk e lë veten nën presion për të marrë vendime për të ardhmen time”-reagoi Moukoko.

Top Channel