Largimi i Busquets, Barça ndryshon strategjinë për De Jong

25/12/2022 14:44

Verën e kaluar, Barcelona mori një ofertë të majme nga Manchester United për Frenkie de Jong.

Barça atëherë kishte nevojë për para për të blerë Bernardo Silvën dhe për të përmirësuar situatën financiare. Përveç kësaj, rroga e holandezit është shumë e lartë. Kështu që nga brenda klubit De Jong u shty të largohej. Megjithatë, lojtari refuzoi kategorikisht dhe vazhdon të përmbushë objektivin që i vuri vetes kur mbërriti në “Camp Nou” në vitin 2019 nga Ajaxi për 85 milionë euro, për të pasur sukses me fanellën e Barçës.

Situata, megjithatë, ka pësuar një kthesë rrënjësore muajt e fundit. De Jong, ndërkohë që ekzistonte mundësia që ai të largohej nga Barça, kishte më pak rëndësi për Xavin. Ai kaloi pothuajse të gjithë periudhën parasezonale duke luajtur qendërmbrojtës dhe ishte zëvendësues në tri nga katër ndeshjet e para të ligës. Pas mbylljes së merkatos, ai rifitoi pozicionin e tij në formacion.

Për Xavi ishte dhe vazhdon të jetë një lojtar i rëndësishëm në skemat e tij dhe tani është sërish për klubin. Te Barça shpjegojnë se mesfushori holandez është i rëndësishëm dhe se ai nuk është në shitje. Ata e dinë që fundi i Busquets në klub po afrohet dhe e dinë gjithashtu vështirësinë në gjetjen e një zëvendësuesi të denjë për të, kështu që De Jong duhet të vazhdojë në klub, sepse ai ka treguar se mund të performojë si mesfushor qendre./ Super Sport

Top Channel