Papa Françesku ka vendosur të kthejë në Greqi tre pjesë 2500-vjeçare të Partenonit, që gjenden në koleksionet papale të Muzeut të Vatikanit për më shumë se një shekull.
Vatikani tha në një deklaratë të shkurtër të premten se Papa po ia jepte ato Ieronymos II, kreut të Kishës Ortodokse Greke.
Partenoni, i cili ndodhet në Akropol në Athinë, u përfundua në shekullin e pestë para Krishtit si një tempull i perëndeshës Athena, dhe pjesët e tij dekorative përmbajnë disa nga shembujt më të mëdhenj të skulpturës së lashtë greke.
Pjesët po kthehen në Greqi ndërsa Londra dhe Athina vazhdojnë të luftojnë për pjesët të ashtuquajtura Mermere Elgin.
Ministrja greke e Kulturës, Lina Mendoni, shprehu mirënjohjen e saj ndaj Papa Françeskut duke e cilësuar si vendim bujar, dhe tha në një deklaratë se mbështet përpjekjet e qeverisë për kthimin e mermerëve nga Muzeu Britanik.
Greqia ka kërkuar vazhdimisht kthimin e përhershëm të skulpturave 2500-vjeçare, të cilat diplomati britanik Lord Elgin i hoqi nga tempulli i Partenonit në fillim të shekullit të 19-të, kur ai ishte ambasador në Perandorinë Osmane, sundimtari i atëhershëm i Greqisë.
Muzeu Britanik gjithmonë e ka përjashtuar mundësinë e kthimit të mermerëve dhe këmbëngul se ato janë blerë ligjërisht.
Top Channel