Exclusive/ Një vit pa Artur Zhejin, Kim Mehmeti tregon kontributin e tij për shqiptarët e Maqedonisë: Ai e aktualizoi çështjen tonë dhe e nxori jashtë
Ka disa njerëz, fati i të cilëve shkruhet përpara se ata të lindin. Jo si një paracaktim mistik, por si një kod gjenetik dhe kulturor që u peshon mbi supe jo pak.. rëndë. Për Artur Zhejin, ky kod kishte emrin e një trungu të hershëm intelektualësh.
Një vit pas ndarjes nga jeta të publicistit Artur Zheji, miqtë e tij kanë folur për të në ‘Exclusive’ në Top Channel.
Aktorja Rajmonda Bulku vlerësoi trashëgiminë intelektuale të Artur Zhejit, duke theksuar se ai mori nga i ati gjuhën e bukur dhe kulturën, ndërsa nga Besa shpirtin luftarak, dashurinë për Kosovën dhe artin.
“Ai e bëri politikën, e çoi në artin e tij të të folurit që e kishte trashëguar atë gjuhën e bukur nga i ati i vet. Pra, ai nga dy njerëzit që e kishin krijuar ai e trashëgoi dhe u mori atyre gjërat më të bukura. Babait gjuhën e bukur dhe kulturën e jashtëzakonshme dhe Besës këtë shpirtin luftarak, shpirtin e fortë, dashurinë për Kosovën, për artin”, tha Bulku.
Grida Duma e përshkroi Zhejin si një njeri njëkohësisht “të mirë dhe të vështirë”, duke rrëfyer se kishte vendosur ta donte edhe në ato momente kur ai nuk e donte.
“Ne grupin tonë miqësor na konsideronin të ngjashëm, por jo në pikat tona të mira, por në pikat tona të këqija. …Zheji ishte sa i mirë dhe i vështirë. Unë e kam ndarë mendjen me Zhejin që ta dua dhe kur nuk më do”, u shpreh Duma.
Avokati Spartak Ngjela e cilësoi talentin e Artur Zhejit si një trashëgimi familjare, duke e renditur atë mes tre figurave të mëdha të familjes Zheji.
“Talentin e kishte origjinë familjare ai. Petro Zheji, Artur Zheji, ai tjetri, janë tre të mëdhenj ata. Njëri më i madh se tjetri. Zhejin e parë e kisha unë mësues letërsie. Petro Zhejin jo, ku kapeshin ata”, tha Ngjela.
Drejtori i Informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari e cilësoi Artur Zhejin si një nga mendjet më të ndritura të Shqipërisë dhe një prej 3-4 publicistëve e mendimtarëve më të mirë që vendi ka pasur që prej viteve ’90.
“Unë nuk e teproj po të them që Artur Zheji ishte një nga mendjet më të ndritura që ne kishim. Dhe mund të them që është një nga 3-4 publicistët, mendimtarët më të mirë që ka pasur Shqipëria që nga vitet ’90 dhe këtej”, u shpreh Rakipllari.
Botuesi Henri Çili e përshkroi Zhejin si një virtuoz të fjalës, i cili spikati në gazetari, oratori, komentim dhe në angazhimet publike e politike.
“Fjala ishte virtuoziteti i tij i nivelit të lartë, në gazetari, në oratori, në komentim, në akte publik, në akte politike. Dhe në kauza të caktuara shoqërore patriotike, fjala ishte absolutja e tij, ishte aty, ishte në absoluten e tij. Ishte në transhandencë, ishte në koncept, ishte në novacion, ishte në rëndesë, ishte në peshë”, tha Çili.
Ilir Demalia e kujtoi Artur Zhejin si një njeri të lexuar dhe të kompletuar, me logjikë të fortë.
“Një djalë që, që fëmijë kishte një libër në dorë. Kurrë nuk e shihje Artur Zhejin pa një libër në dorë. Pra, ishte njeri i lexuar, i kompletuar dhe kishte një logjikë shumë të fortë. Po ashtu në anën tjetër, Zheji ishte dhe shumë ironik. Kishte një sarkazëm shumë të hollë dhe tallej keq me njerëzit që e kuptonte që nuk mund të bënte dialog, po nuk mund t’i bindte”, kujton Demalia.
Roberto Spagnoli, zv/kryeredaktor në Radio Radicale, e kujtoi Artur Zhejin si një njeri të jashtëzakonshëm, nga ata persona që rrallë i takon në jetë, por që lënë një gjurmë të paharrueshme dhe mbeten të përjetshëm në kujtesë.
“Për mua Artur Zheji mbetet një njeri i jashtëzakonshëm. Ai ishte një nga ata persona që rrallë i takon në jetë por kur i takon lenë tek ti patjetër një gjurmë të paharrueshme. Një kujtesë. E ty të duket sikur ata nuk ikin kurrë. Sikur janë të përjetshëm. Ndaj e kam të vështirë të mendoj që nuk është më. Por jam i kënaqur që e njoha. Nuk do ta harroj kurrë, portretin e tij, zërin por dhe mënyrën e tij të të punuarit”, tha ai.
Top Channel