Gjykata e Durrësit lë në qeli iranianin e arrestuar për narkotikë. Pa përkthyes dhe pa mbrojtje është paraqitur në seancën e sotme shtetasi iranian Mousa Jaberifar.
41-vjeçari u arrestua pasi, sipas policisë, ka siguruar lëndën narkotike të llojit ekstazi dhe ka tentuar ta fusë përmes një qeseje me ushqime në qendrën e mbyllur për të huajt në Karreç të Durrësit.
Ai e ka dërguar atë përmes 21-vjeçares Edona H, që deklarohet të jetë e fejuara e një prej shtetasve iranianë që mbahen në qendrën e mbyllur të Karreçit.
Gjatë kontrollit të qeses nga punonjësit e qendrës është konstatuar lënda e fshehur brenda sheqerit dhe është njoftuar policia. Qesja me ushqimet dhe lëndën e ndaluar ishte destinuar për shtetasin Mehdi Soleimani, i cili bashkë me disa shtetas të tjerë iranianë mbahen në këtë qendër.
Ka qenë ora 15.00 e së mërkurës kur e reja nga Tirana ka dërguar ushqime në qendrën e Karreçit. Arrestimi i Jaberifarit që ka disa vite që jeton në Shqipëri është bërë nën akuzën e prodhimit e trafikimit të narkotikëve.
41-vjeçari u paraqit pa përkthyes në sallë, duke pretenduar se e njeh gjuhën shqipe, ndërsa në sallë mungonte dhe avokati i caktuar kryesisht nga shteti për mbrojtjen e tij. Mungesa e tij u plotësua me një avokate tjetër.
Sipas dëshmisë së 21-vjeçares, qesja me ushqime i ishte dhënë nga i arrestuari dhe ajo s’ka qenë në dijeni për brendinë e saj.
I arrestuari ka pretenduar se droga e dyshuar si ekstazi është ilaç ‘-Lonitrol” që e ka blerë në Kamëz dhe ia ka dërguar shokut të tij përmes të fejuarës.
“Shoku im më tha se i dhemb mesi dhe unë e mora për ta ndihmuar.
Kam bërë gabimi shumë, po ilaç farmacie është. Nuk është drogë. Te një farmaci në Kamëz e bleva. Afër policisë.”
Avokatja e caktuar kryesisht nga gjykata kërkoi një masë më të butë, detyrim paraqitjeje, ose arrest në burg me afat për të, ndërsa prokurori i çështjes u shpreh se tabletat që pretendohet se janë medikament qetësues ishin të fshehura brenda sheqerit dhe jo në paketimin e medikamentit.
Sipas të arrestuarit, i fshehu se ia kërkoi shoku i tij në qendër Mehdiu që kishte frikë se mos nuk ia lejonin.
41- vjeçari nuk i ka shmangur as lotët në sallën e gjyqit, ndërsa prokurori kërkoi lënien e tij në masën e sigurisë “arrest me burg” duke deklaruar se dyshimet ndaj tij janë të arsyetuara me veprimet e kryera prej tij.
“Dua falje. Kam punë. Nëse ka problem unë rri në burg, po nuk ka. Mami është sëmurë dhe nuk e di që jam në burg. Unë dua falje.”– deklaroi iraniani, ndërsa nuk e përmbajti ngashërimin.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se episodi mund të ketë qenë një tentativë për të testuar dhe masat e sigurisë për veprime të mëtejshme.
Top Channel