Franca bind dhe siguron çerekfinalet, Giroud dhe Mbappe eliminojnë Poloninë

04/12/2022 18:05

Franca mposht Poloninë me rezultatin 3-1 dhe siguron një biletë për në fazën çerekfinale të Katar 2022. Polakët tentuan t’i bënin ballë francezëve dhe në disa momente të lojës ia dolën mbanë mjaft mirë. Megjithatë, ato që vendosën në fund ishin kualitetet e Les Bleus që e ndëshkuan Poloninë me Olivier Giroud dhe Kylian Mbappe.

Gjithsesi, mundësia më e mirë për polakët u regjistrua në minutën e 37-të, kur fillimisht Zielinski e më pas Cash u shfaqën brenda zonës së “Gjelave” me Varane që shpëtoi topin në vijën fatale. Por, ky moment i mirë nuk u shfrytëzua nga polakët që u goditën vetëm shtatë minuta më pas nga ana e Olivier Giroud. Sulmuesi kombinoi bukur me Mbappe dhe përballë Szczesny nuk gaboi. Festë te Franca, gjithashtu një moment krenarie edhe për Giroud që me 52 gola u shndërrua në golashënuesin më të mirë të Francës duke lënë pas një legjendë si Thierry Henry.

Me avantazhin 1-0 u mbyll pjesa e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, ishin sërish Kampionët e Botës në fuqi që u shfaqën më të orientuar drejt sulmit për të gjetur golin e dytë. Mbappe, Dembel, por edhe Giroud provuan, madje ky i fundit shënoi sërish me një roveshatë këtë herë, por loja ishte ndalur më parë për një faull ndaj portierit të polakëve.

Megjithatë, goli i dytë erdhi në minutën e 74-të me anë të një kundërsulmi të ekzekutuar në perfeksion nga ana e Dembele dhe Mbappe me këtë të fundit që përmbylli me sukses aksionin teksa me një goditje preçize në zonë nuk i la asnjë mundësi reagimi portierit Szczesny.

Një gol që i preu gjunjët polakëve dhe i detyroi të dorëzoheshin para kohe, ndërsa Mbappe gjeti kohën edhe për një tjetër gol. Sërish brenda zone, 23-vjeçari goditi me efekt dhe e depozitoi topin në fundin e rrjetës së Szczesny.

Në fund pati kohë edhe për një gol të Robert Leëandoëskit që shënoi me 11-metërshin, një rrjetë që i shërbeu sa për statistikë personale sulmuesit që e mbyll këtë Kupë Bote me dy gola të realizuar. Kështu, me një fitore bindëse, Franca garanton pjesëmarrjen në çerekfinale dhe pret të përballet me fituesen e çiftit Angli-Senegal.

Top Channel