Dy persona janë arrestuar në Nottingham të dyshuar për përfshirje në tentativën e dështuar për të kontrabanduar emigrantë shqiptarë drejt Britanisë së Bashkuar me skaf.
Arrestimet pasuan një operacion muajin e kaluar, ku policia belge arrestoi dymbëdhjetë shqiptarë, së bashku me dy burra nga Basingstoke në Hampshire.
Ata u arrestuan nga autoritetet belge për shkelje të dyshuara të kontrabandës me njerëz.
Oficerët e Agjencisë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar arrestuan gjithashtu një anëtar të tretë të dyshuar të grupit të krimit.
Ata kanë arrestuar shqiptarët pas bastisjes në një pronë në Sherwood të Nottingham.
Të arrestuarit rreth moshës 48 dhe 44-vjeçare janë ndaluar, pas dyshimeve se kanë ndihmuar persona të emigrojnë në mënyrë të paligjshme. Sipas mediave britanike ata mbeten në paraburgim dhe po merren në pyetje.
“Hetimi ynë është përqendruar në individë të dyshuar për përfshirje në përpjekjen e tetorit për të anashkaluar kontrollet kufitare të Mbretërisë së Bashkuar duke përdorur një varkë me fuqi të lartë. Trajtimi i kontrabandistëve të njerëzve është një prioritet për NCA-në dhe ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të synuar rrjetet që ndikojnë në MB, qofshin ato që veprojnë në brigjet tona apo jashtë shtetit”, deklaroi komandanti i degës së NCA-së, Colin Williams.
NCA ka paralajmëruar më parë se grupet e krimit të organizuar po kërkojnë të gjejnë mënyra të reja për të anashkaluar kontrollet kufitare, duke përdorur gomone më të mëdha dhe më të shpejta, ose duke zbarkuar emigrantët larg vijës bregdetare të Mbretërisë së Bashkuar.
Top Channel