“Do këndohen dy himnet”, Duka: Miqësore luksi, këtu ka shumë tifozë të Italisë

16/11/2022 13:52

Shqipëria luan përballë Italisë sonte në “Air Albania”, miqësore që po pritet me padurim nga tifozët.

Biletat kanë “avulluar”, ndërkohë që Armando Duka është ndalur te sfida e veçantë ndaj kampionëve të Europës në prononcimin për TMW.

Presidenti i FSHF-së thekson se skuadra e Roberto Mancinit ka shumë tifozë në tokën e shqiponjave, teksa beson se në stadium do të këndohen të dy himnet. “Do të jetë një miqësore luksi, luajmë ndaj një ekipi të fortë që ka shumë tifozë në Shqipëri.

Pas Italisë, shumica e tifozëve italianë janë në Shqipëri. Entuziazmi është shumë i madh, kurrë më parë nuk kemi pasur kaq shumë kërkesa për bileta. Më vjen keq që Italia nuk do të jetë në Botëror, por sa bukur është të presësh të kaltrit në Tiranë.

Në Shqipëri është një festë e vërtetë, Italia është shteti i dytë për shumë qytetarë të Tiranës dhe kjo është arsyeja pse sonte, edhe pse në transfertë, lojtarët azzurrë mund të gjenden në një stadium që do këndojë i gjithi himnin e Mamelit”, deklaroi Duka.

Përballja Shqipëri-Itali do të nisë në orën 20:45 dhe do të transmetohet në SuperSport 2.

Top Channel