Hetim për trafikun e hashashit/ Pezullohet një punonjëse e sigurisë në Rinas, në verifikim 70 të tjerë

18/10/2022 19:48

Tre rastet e trafikut të kanabisit nga aeroporti i Rinasit drejt atij të Stambollit të kapura nga polica Turke dëshmuan se kontrollet në aeroportin e Tiranës nuk ishin të mjaftueshme.

Pas arrestimit të 3 shqiptarëve, mes tyre dhe polici i rrugores Florenc Biçeri dhe 2 turqve  të cilët trafikuan drogë me valixhe e çanta autoritetet shqiptarë kanë marrë masa konkrete për rritjen e sigurisë në aeroport dhe parandalimin e Trafikut të drogës.

Top Channel mëson se kontrolli i bagazheve dhe vëzhgimi i skanerit nuk do të bëhet si deri më tani vetëm nga siguria e aeroportit por nga një grup i përbashkët pune ku do të përfshihet edhe policia kufitare dhe autoriteti doganor.

Përveç ndryshimeve në mënyrën e punës ngarkesat e drogës të kapura në Turqi kanë vënë në lëvizje dhe autoritetet shqiptare që operojnë në aeroport. Agjencia e mbikëqyrjes policore po verifikon punonjësit e policisë që kanë qenë në detyrë në datat kur kanë kaluar ngarkesat. Përgjegjësia më e madhe është e punonjësve të sigurisë së aeroportit të cilët kanë përgjegjësi direkte në kontrollin e bagazheve. Burimet thonë se njëri prej tyre është pezulluar ndërsa verifikimet kane nisur për 70 të tjerë

Për 3 rastet e trafikut policia shqiptare po bashkëpunon me atë turke për të gjetur përgjegjësit. Top Channel mëson se nga verifikimet e kryera në Rinas ka rezultuar se skaneri i ka dedektuar ngarkesat me drogë por punonjësit e sigurisë i kanë kaluar pa ushtruar kontroll.

Top Channel