Java e gjashtë e Abissnet Superiores do të kulmojë ditën e diel me ndeshjen më të madhe të futbollit shqiptar që është derbi kryeqytetas mes Partizanit dhe Tiranës.
Një ndeshje e konsideruar vitrinë për futbollin tonë kjo edhe për shkak të interesit të madh nga tifozeria kryeqytetase.
Pushimi për shkak të ndeshjeve të përfaqësueses duket se i ka dhënë më tepër frymëmarrje skuadrave. Partizanit e ka filluar më mirë nga të gjithë këtë sezon duke grumbulluar 4 fitore dhe një humbje në 5 javët e para. Nën drejtimin e Xhovani Kolelës të kuqtë po kalojnë një formë të mirë.
Ndërkohë kampionët në fuqi të Tiranës vijnë në këtë derbi pas një fillimi të ngadaltë të sezonit me 2 fitore 2 barazime dhe një humbje. Për këtë ndeshje të radhës Orges Shehi tregon se nuk do të ketë në dispozicion një nga shtyllat e mbrojtjes si Filip Najdofski, ndërkohë që sipas tij kushdo të luaj do të bëjë shumë mirë. Sipas trajnerit të kampionëve, ky derbi do të jetë një ndeshje e re, e pa ndikuar nga e shkuara dhe statistikat.
Ndeshja e mbrëmjes të së dielës është një përballje historike 74-vjeçare, mes kupës dhe kampionatit. Partizani dhe Tirana janë ndeshur plot 191 herë mes tyre ku “Demat e kuq” kanë arritur të dominojnë për një periudhë të gjatë pas formimit të tyre, ndërkohë që bardhebltuë janë munduar herë pas herë të ngushtojnë diferencën. Gjithësesi ndeshja e së dielës do të jetë një tjetër përballje mes tyre e cila starton nga ora 19:00 në stadiumin Air Albania të kryeqytetit.
Top Channel