“Po e shembin për hiçgjë!” Gianni Rivera shpërthen ndaj projektit të stadiumit të ri: “T’ia vësh emrin një marke është turp, duhej të quhej Rivera-Mazzola”

Legjenda e Milanit, Gianni Rivera, ka hedhur akuza të ashpra kundër projektit për ndërtimin e stadiumit të ri në Milano dhe vendimit për t’i dhënë fund epokës së “San Siro”-s. Në një intervistë për la Repubblica, dhënë pas prezantimit të projektit të ri pranë ‘Meazza’-s, Rivera nuk i ka kursyer kritikat.“San Siro është një monument për qytetin e Milanos dhe objekti aktual është ende perfekt për të luajtur. Po e shembin për t’i hapur rrugë diçkaje që nuk ka asnjë arsye të ekzistojë. Më vjen keq për atë që e mori këtë vendim,” u shpreh ai.

Një nga pikat më kritike të ish-yllit kuqezi është çështja e emrit dhe komercializimi i futbollit modern, ku tradita po zëvendësohet nga fitimet financiare: “Në vend që ta emërojnë stadiumin sipas atyre që bënë historinë e klubit, ia japin atij që paguan më shumë. Imagjinoni sa të lumtur do të jenë tifozët! Do të më kishte pëlqyer jashtëzakonisht shumë sikur stadiumi i ri të mbante emrin tim dhe të mikut tim, Sandro Mazzola,” përfundoi Rivera.

Top Channel