Katie Goodland u bë objekt i komenteve fyese për pamjen e saj pas ceremonisë së Topit të Artë në Londër. Në mbrojtje të saj doli edhe bashkëshortja e Thomas Meunier, duke dënuar ashpër sulmet në internet.

Në vend të urimeve për çmimin dhe suksesin e Harry Kane, vëmendjen pas ceremonisë së Topit të Artë e morën komentet fyese ndaj bashkëshortes së tij, Katie Goodland. Pamja fizike e saj u bë objekt kritikash në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të shumta nga njerëz të botës së futbollit.

Mes atyre që dolën në mbrojtje të Katie-t ishte Deborah Panzokou, bashkëshortja e futbollistit Thomas Meunier. Përmes një postimi në Instagram, ajo kritikoi ashpër personat që ndihen të lirë të gjykojnë dhe poshtërojnë publikisht gratë për pamjen e tyre.

“Një burrë falënderon publikisht gruan që ka qenë pranë tij që në rini dhe që e ka mbështetur në çdo moment, ndërsa disa nuk gjejnë asgjë më të zgjuar sesa të shkruajnë komente të neveritshme. Imagjinoni sikur dikush të vinte në shtëpinë tuaj dhe të kritikonte pamjen e partneres suaj. Kjo është mungesë e kulturës bazë”, shkroi ajo.

Nuk është hera e parë që Katie përballet me sulme të tilla. Edhe vetë Kane ka reaguar më parë ndaj komenteve për bashkëshorten, duke e cilësuar atë si një grua të bukur, të sjellshme dhe me humor.

Gjatë ceremonisë në Londër, sulmuesi anglez i kushtoi gjithashtu një pjesë të fjalimit të tij, duke e falënderuar për besimin dhe mbështetjen që i ka dhënë gjatë gjithë rrugëtimit të tij.

Historia e tyre e dashurisë nis që në fëmijëri, kur u njohën në shkollë në Londër. U fejuan në vitin 2017, u martuan dy vite më vonë dhe sot janë prindër të katër fëmijëve. Një lidhje që i ka rezistuar viteve, përpara se Kane të bëhej një nga emrat më të njohur të futbollit botëror.

Top Channel