“Rrezikon biznesin”/ Dhoma Britanike e Tregtisë kundër paketës fiskale të qeverisë: Shtyjeni me pesë vite

30/10/2026 22:36

Dhoma Britanike e Tregtisë në Shqipëri shprehet kundër Paketës Fiskale të vitit 2027 dhe i bën thirrje qeverisë për rishikimin e saj, me argumentin se rritja e tatimit mbi dividendin, ndryshimet në TVSH dhe ulja e pragut të regjistrimit mund të rëndojnë bizneset, të ndikojnë tek investimet dhe të rrisin kostot për konsumatorët.

Dhoma Britanike e Tregtisë shpreh shqetësimin për efektet që mund të sjellë paketa e re fiskale në ekonominë shqiptare, veçanërisht në sektorët me investime afatgjata dhe kontrata të lidhura më parë.

“Ndryshimet e propozuara nuk duhet të vlerësohen vetëm në funksion të të ardhurave shtesë që mund të sigurojë buxheti i shtetit, por edhe për ndikimin që mund të kenë në vendimet e investitorëve, financimin bankar, punësimin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë”, thuhet në reagim.

Dhoma Britanike e Tregtisë i drejtohet qeverisë shqiptare me dhjetë kërkesa konkrete, mes të cilave rishikimi i masave fiskale, shtyrja e zbatimit dhe analizimi i ndikimit të tyre në ekonomi. Një nga kundërshtimet kryesore të Dhomës Britanike lidhet me propozimin për rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%.

Sipas organizatës, ndryshimi përfaqëson një ndërhyrje të rëndësishme në trajtimin fiskal të kthimit të kapitalit dhe mund të ndikojë drejtpërdrejt vendimet e kompanive për shpërndarjen e fitimeve, riinvestimin dhe financimin e aktivitetit.

Rritja e TVSH-së në 21% për Dhomën Britanike do të sjellë rritje të çmimeve për produktet bazë dhe shërbimet, duke ndikuar te fuqia blerëse e konsumatorëve dhe konkurrueshmëria e bizneseve.

Organizata vlerëson pozitivisht objektivin për uljen e barrës së konsumit për produktet bazë ushqimore, por kërkon që të monitorohet nëse ulja e TVSH-së do të reflektohet realisht në çmimet përfundimtare.

Gjithashtu, kërkohet që qeveria të vlerësojë efektin neto të të gjitha ndryshimeve të propozuara mbi inflacionin, konsumin, aktivitetin ekonomik dhe të ardhurat buxhetore.

Top Channel