Krizë te Juventusi/ Dhoma e zhveshjes e ndarë, lojtarët ngrenë shqetësime për metodat e Spallettit: Shumë fjalë dhe pak stërvitje
Mauro Icardi nuk e ka harruar Interin. Sulmuesi argjentinas, aktualisht pa skuadër, ka shprehur hapur dëshirën për t’u rikthyer te zikaltrit, aty ku ka kaluar disa nga vitet më të rëndësishme të karrierës së tij dhe ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.
Në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, 33-vjeçari ka pranuar se nuk e kishte imagjinuar të gjendej në këtë moment pa një klub, por ka theksuar se nuk ka dashur të pranojë oferta vetëm për të pasur një skuadër.
“Kam marrë oferta, por kam preferuar të pres në vend që të pranoj një projekt për të cilin nuk isha plotësisht i bindur. Rikthimi te Interi do të ishte diçka speciale. Kam përjetuar vite të rëndësishme me atë fanellë dhe me shiritin e kapitenit kam ndërtuar një pjesë të vetes. Fundi ishte i dhimbshëm dhe do të më pëlqente ta mbyllja rrethin në një mënyrë tjetër”, u shpreh Icardi.
Megjithatë, argjentinasi theksoi se një rikthim i mundshëm duhet të mbështetet nga dëshira e të dyja palëve dhe nga një objektiv i përbashkët.
“Një rikthim do të kishte kuptim vetëm nëse do të kishte bindje reciproke dhe një objektiv për të arritur së bashku. Kam ende shumë për të dhënë. Nëse rikthehem në një vend, e bëj për të qenë i dobishëm dhe për të fituar”, deklaroi sulmuesi.
Icardi foli edhe për ndarjen e vështirë nga Interi, duke pranuar se disa momente të fundit në Milano do t’i kishte menaxhuar ndryshe. Humbja e shiritit të kapitenit ishte një nga episodet që e kishte lënduar më shumë.
“Ndërsa atë që kam ndier për ato ngjyra dhe gjithçka që kam dhënë nuk do ta ndryshoja kurrë, do të ndryshoja mënyrën se si menaxhova disa momente, veçanërisht në fund. Humbja e shiritit të kapitenit më lëndoi shumë. E konsideroja një përgjegjësi dhe një arsye krenarie”, rrëfeu ai.
Sulmuesi zbuloi gjithashtu se në atë periudhë kishte pasur probleme serioze me gjurin dhe se luante ndeshjet duke marrë injeksione për të përballuar dhimbjet. Sipas tij, fakti që problemi fizik vihej në dyshim ishte i vështirë për t’u pranuar.
“Sot do të dija të shpjegohesha më mirë dhe t’i përballoja disa situata me më shumë qetësi. Të pranoj këtë nuk e zvogëlon aspak atë që i kam dhënë Interit. Do të thotë se jam rritur”, shtoi argjentinasi.
Icardi ka realizuar 250 gola gjatë karrierës së tij me fanellat e Sampdorias, Interit, Paris Saint-Germain dhe Galatasarayt. Tashmë, pa një skuadër, ai pret mundësinë për t’u rikthyer në fushën e blertë.
Në fund, ai kujtoi edhe emocionet e derbit të Milanos, një sfidë ku shpesh ishte protagonist ndaj Milanit.
“Derbi fillonte disa ditë përpara. E ndjeje në rrugë, në shikimet e njerëzve. Kur hyje në San Siro, e kuptoje se një gol mund të ndryshonte shumë gjëra për shumë njerëz. Për fat, kam shënuar disa gola, madje edhe një tripletë dhe atë gol të paharrueshëm në minutën e 92-të”, kujtoi Icardi.
Top Channel