Bujqësia shqiptare po përgatitet për programin IPARD III, 146 mln euro është fondi që ka përcaktuar Bashkimi Eurpian dhe buxheti i shtetit kësaj here për bujqësinë. 

Përveç fondit të shtuar, në programin IPARD III gjithashtu do të ketë ndryshime edhe në strukturë, pasi numri i masave do të shkojë në 9.

Deri më tani 94 mln euro të programit IPARD II, kanë shkuar në 4 masa konkretisht në: investimet në asetet fizike të fermës, investimet në asetet fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit, investimet në Infrastrukturën Publike Rurale si dhe te diversifikimi i fermave.

“Buxhet ky 54% më i lartë se programi IPARD II. Në IPARD III masat e shtuara fillojnë  me qasjen lider, ku është masa më interesante që lidhet me financimin që jep programi me financim 100% grupeve lokale  të veprimit që zhvillojnë një strategji për zhvillimin e një fshati apo të një njësia administrative. Masa tjetër e re është masa agro-mjedisore dhe prodhimi organik. Masë tjetër shtesë kemi masën e pyjeve për mbrojtjen, krijimin dhe ristrukturimin e pyjeve. Kemi masën për i infrastrukturën rurale ku aplikantët do të jenë bashkitë dhe njësite administrative që aplikohen me projekte për infrastrukturën. Masa e shërbimeve këshillimore qe lidhet me rritjen e kapaciteteve dhe financim për forcuar kapacitet e shërbimeve publike. Pra të këshillojnë nga përdorimi i teknologjive bujqësore tek tek hartimi i projekteve të financimit.”- shprehet drejtorja e AZHBR, Eranda Selmanaj.

Nga financimi IPARD III,  përveç fermerëve dhe agro-përpunuesve do të financohen edhe bashkitë, OJF dhe njësitë administrative që kanë një strategji se si të zhvillojnë bujqësinë shqiptare me qëllimin e vetëm, që fshatrat të mos braktisen.

“Katër masat e para granti është  nga 50-75%, pjesa tjetër mbulohet nga kontributi individual, ndërkohë në masat e reja është 100% që lidhet me aplikantët që do të keni strategji për të mbajtur dhe zhvilluar bujqësinë rurale.”- shton Selmanaj.

Fondi IPARD, i adresohet vendeve kandidate për anëtarësim të barabartë në Bashkimin Evropian, si dhe përgatitjes së tyre për shfrytëzimin e programeve para anëtarësimit për zhvillim bujqësor dhe rural duke garantuar sigurinë ushqimore.

Top Channel