Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar nisi sot axhendën e takimeve në Tiranë, në kuadër të Artikullit 4.
Anëtarët e delegacionit, kryesuar nga Yan Sun u pritën në një takim nga ministrja e ekonomisë, Delina Ibrahimaj e cila informoi mbi ecurinë ekonomike të vendit në kontekstin e ri të krijuar nga efektet e krizës energjetike, pas luftës së Rusisë në Ukrainë.
Gjatë këtij takimi, Ministrja Ibrahimaj, shprehu anagazhimin për të ruajtur parametrat makroekonomik dhe vijuar konsolidimin fiskal, edhe pse rritja e çmimeve në tregjet globale ka dhënë efektet edhe në ekonominë shqiptare.
“Nga njëra anë kemi ndërmarrë politika lehtësuese për qytetarët dhe biznesin për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike dhe të inflacionit në përgjithësi, vecanërisht për shtresat më vulnerabël, si dhe nga ana tjetër kemi ruajtur qëndrueshmërinë e financave publike dhe stabilitetit makroekonomik të vendit”, u shpreh ndër të tjera Ministrja në këtë takim.
Sakaq shefja e misionit të FMN, Yan Sun u shpreh se disa prej fushave kryesore ku do përqëndrohet misioni do të jenë analiza dhe perspektiva e treguesve makroekonomikë, fiskalë, monetare, financiarë, e të tjerë dhe projeksionet për to, do analizojë, vlerësojë dhe rekomandojë mbi objektivat e politikave fiskale, monetare, makro-prudenciale, e të tjerë, do analizojë planet fiskale dhe buxhetore të qeverisë, performancën e vitit 2022, financimin buxhetor, draft-buxhetin 2023 dhe plan-buxhetin afat mesëm, reformat strukturore, risqet, etj.
Misioni i FMN-së, i cili do të qëndrojë në Tiranë, nga 27 Shtator deri më 10 Tetor, do të zhvillojë takime edhe me Guvernatorin e BSH, Gent Sejko, si dhe me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Bankës së Shqipërisë, dhe me institucione të tjera.
Top Channel