Më datë 20 shtator do të startojë edicioni i 20-të i Tirana International Film festival-Oscar & European Film Awards qualifying, që do të zgjasë deri më 30 shtator.
Ky edicion jubilar do të zhvillohet fizikisht por dhe online për ndjekësit e shumtë në Shqipëri dhe në botë që nuk do kenë mundësi të jenë të pranishëm.
“Është si ditëlindje e te gjithë njerëzve, por këtë vit festivalit i ndryshon përmbajtja, filmat e rinj që janë premiera kombëtare dhe shumë prej tyre premiera botërore, europiane, ndërkombëtare dhe ballkanike, gjë per tu theksuar ne TIFF”, tha Agron Domi, drejtor i TIFF.
Nga 2918 filma që aplikuan këtë vit nga 109 vende të botës janë përzgjedhur 243 filma, nga të cilët 209 filma të shkurtër dhe 34 filma të metrazhit të gjatë.
“Me thirrjet kemi filluar që në tetor një punë pothuajse 1 -vjeçare, me rreth 3000 filma, të përzgjedhur prej tyre vetëm 243. Me kategoritë e filmave jeni njohur, filma të metrazhit të gjatë, metrazhit të shkurtër që kualifikohet për Oskar dhe këtë vit kemi marr një të drejtë si dhuratë për ditëlindje, nga Europian Film Academy, që TIFF futet midis 29 festivaleve më të rëndësishme në Europë për të propozuar 5 EurOpian short film në Europian Film Award, gjë që do ndodhi çdo vit në TIFF”, tha Agron Domi, drejtor i TIFF.
Në ceremoninë e hapjes do të shfaqet filmi nga regjisori i njohur Giuseppe Tornatore, që i dedikohet Grande Maestro, Ennio Morricone, film dokumentar i shfaqur vjet në Venezia.
Konkurrimi zyrtar për kategoritë kryesore si Feature, PerspecTIFF, Documentary dhe Short Films do të vlerësohet nga 4 juri ndërkombëtare të formuara nga personalitete të njohur të industrisë kinematografike, ndër to Monica Lăzurean-Gorgan (Rumani), regjisore, anëtare e Academy of Motion Pictures, Arts and Sciences, që akordojnë çdo vit çmimet Oscar; si dhe Cristina Groșan (Hungari), e cila sapo fitoi ne Venezia çmimin Best Director 2022.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar këtë vit programit tradicional KIDS, një program i pasur e i larmishëm nga të gjitha zhanret.
“I kemi kushtuar programit të fëmijëve një hapësirë speciale që do jetë e dedikuar çdo ditë në Liceun Artistik, të ndarë në dy programe për moshat nga 5-10 vjeç dhe nga 11-15 vjeç”, tha Domi.
Tiranën do ta vizitojnë gjatë javës 24-30 shtator edhe afro 100 regjisorë, producentë, distributorë, aktorë, nga vende të ndryshme të botës, që do të prezantojnë filmat e tyre në konkurrim.
Top Channel