Krismat zgjojnë Shkodrën/ Konflikt me armë zjarri dhe thika mes tre personave. Humb jetën 24-vjeçari, plagosen dy të tjerët

08/09/2026 07:17

Një konflikt i ndodhur në orët e para të mëngjesit në lagjen “Kongresi i Përmetit” në Shkodër ka përfunduar me një viktimë dhe dy persona të plagosur.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 05:30, shtetasi Andri Vulaj, 25 vjeç, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri ndaj Qamil Lulit, 63 vjeç, dhe djalit të tij, Ylber Luli, 24 vjeç.

Babë e bir dyshohet se më pas kanë plagosur me mjet prerës, thikë, 25-vjeçarin Vulaj.

Të plagosurit janë transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore, por Ylber Luli, 24 vjeç, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e Andri Vulajt.

Gjithashtu, gjatë veprimeve në vendngjarje, Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin ligjor të saj.

Njoftimi i policisë: “Shkodër/Informacion paraprak. Rreth orës 05:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, Shkodër, dyshohet se, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. V. ka plagosur me armë zjarri shtetasit Q. L., 63 vjeç, dhe Y. L., 24 vjeç (babë e bir), ndërsa këta të fundit dyshohet se kanë plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin A. V., 25 vjeç.

Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi Y. L., 24 vjeç, ka ndërruar jetë në spital.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. V., si dhe gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit, pistoletë, që dyshohet se është përdorur në ngjarje.

Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj”.

Top Channel