Festivali i komedisë “KokoFest” ka përmbyllur me sukses edicionin e tij të 13-të, duke kurorëzuar arritjet më të spikatura artistike mes 8 veprave në konkurrim dhe një shfaqjeje përshëndetëse.
Edhe këtë vit, maratona teatrore mblodhi trupa të shumta artistike, ndërsa juria vlerësoi punën e palodhur të krijuesve dhe interpretuesve.
Pas shfaqjes “Demos” të Aristofanit, vënë në skenë nga trupa teatrore e Korçës në natën e fundit të festivalit të komedisë, publiku priti mes duartrokitjesh dhe emocionesh vlerësimet e jurisë.
Shfaqja “Babai” nga Teatri Kombëtar Eksperimental u shpall fituese e çmimit kryesor si shfaqja më e mirë e këtij edicioni, ndërsa dy vlerësime të tjera shkuan për artistët e saj: aktori i mirënjohur Viktor Zhusti u nderua si aktori më i mirë protagonist, ndërsa Pjerin Vlashi mori çmimin si aktori më i mirë joprotagonist.
Sukses të veçantë shënoi edhe komedia “Gomerët e Trojeve” e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, e cila u vlerësua me çmimin për regjinë më të mirë me autorësi të Gent Bejkos, krahas dy çmimeve të tjera që shkuan për artisten e re më të mirë, Altea Lazaj, dhe aktoren joprotagoniste më të mirë, Ina Morinaj.
Top Channel