“Armët vijnë nga Afrika, paketohen në Shqipëri”/ Opozita kërkon hetim parlamentar pas denoncimeve të Ahmetajt

08/09/2026 13:36

Opozita kërkon ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për të verifikuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore lidhur me trafikun ndërkombëtar të armëve.

Kërkesa e firmosur nga 39 deputetë të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë  drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, kërkon të hetojë nëse institucionet përgjegjëse kanë vepruar në përputhje me ligjin për parandalimin, kontrollin dhe zbulimin e këtyre veprimtarive, si dhe nëse mund të ketë përgjegjësi politike, administrative apo institucionale.

Shkak i drejtpërdrejtë për kërkesën janë deklaratat dhe materialet audio të publikuara në një Syri Tv më 7 shtator nga ish zëvëndeskryeministri Arben Ahmetaj.

Vetë deputetët nënshkrues theksojnë në kërkesë se deklaratat dhe materialet e publikuara nga Ahmetaj nuk konsiderohen fakte të provuara, por të dhëna dhe indicie që, sipas tyre, duhet t’i nënshtrohen kontrollit parlamentar.

Qëllimi i komisionit, sipas dokumentit, do të ishte verifikimi i pretendimeve përmes dokumenteve, dëshmive, të dhënave zyrtare dhe kontrollit të institucioneve shtetërore.

Në fokus të hetimeve të këtij komisioni hetimor, kërkohet të vendosen procedurat e importit, eksportit, tranzitit, transportit, magazinimit dhe transferimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, si dhe licencat dhe autorizimet e lëshuara nga institucionet shtetërore. Deputetët e opozitës kërkojnë gjithashtu verifikimin e kontrolleve doganore, kufitare, portuale dhe aeroportuale.

Një tjetër pikë që kërkohet të hetohet është nëse ka pasur komunikime, ndërhyrje, urdhra apo orientime nga funksionarë publikë që mund të kenë ndikuar në trajtimin institucional të çështjeve të dyshuara, si dhe marrëdhëniet mes subjekteve private të përmendura në materialet e bëra publike dhe institucioneve shtetërore.

Hetimi parlamentar propozohet të shtrihet në një periudhë prej më shumë se 2 vitesh, nga 1 janar 2024 deri në 7 shtator 2026, dhe parashikon të shqyrtojë edhe dokumentet që i përkasin një periudhe më të hershme.

Në kuadër të këtij hetimi parlamentar, opozita kërkon që Komisioni të marrë në pyetje dhe të dëgjojë dëshmitë e disa prej zyrtarëve më të lartë të shtetit, duke nisur nga kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral lejtnant Arben Kingji, drejtuesja  e SHISH-it Vlora Hyseni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita dhe drejtori i Përgjithshëm i KAYO-s Ardi Veliu.

Gjithashu do të kërkohet informacion, dokumentacion dhe dëshmi nga strukturat përgjegjëse për industrinë e mbrojtjes, tregtimin e armëve, doganat, autoritetet portuale e aeroportuale dhe kontrollin kufitar.

Përpara Komisionit opozita ka kërkuar që të dëshmojë edhe ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, si personi që bëri publike materialet dhe pretendimet që u bënë shkak për kërkesën për hetim parlamentar.

Gjithashtu opozita kërkon që ky komision hetimor të administrojë materialet audio të publikuara më 7 shtator nga ish zevendëskryeminsitri Ahmetaj dhe të verifikojë origjinën e tyre, kohën dhe rrethanat e regjistrimit, integritetin teknik, identitetin e personave që dëgjohen dhe përputhjen e përmbajtjes së tyre me dokumentacionin zyrtar.

Deputetët nënshkrues theksojnë se ky Komision Hetimor nuk dO të përcaktojë përgjegjësi penale dhe as do të zëvendësojë Prokurorinë apo organet e tjera të drejtësisë. Objekti i tij, sipas kërkesës, duhet të mbetet kontrolli parlamentar i veprimtarisë së institucioneve dhe përcaktimi i përgjegjësive eventuale politike dhe institucionale.

Argumentat mbi të cilat 39 deputetë të opozitës kanë mbështetur kërkesën për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar u bënë publike nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, gjatë një interviste televizive një ditë më parë. Ai ngriti akuza për një skemë të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të armëve, duke publikuar edhe disa materiale audio që, sipas tij, lidhen me këtë veprimtari. Në qendër të pretendimeve të Ahmetajt ishin biznesmeni Ron Yefet, kompania Timak Defense dhe ajo që ai e cilësoi si “koncepti KAYO”.

Ahmetaj deklaroi se armë me origjinë nga vende të Afrikës sillen në Shqipëri, paketohen dhe më pas dërgohen drejt vendeve të tjera, Sipas tij, ky qarkullim nuk bëhet në kuadër të marrëveshjeve zyrtare të Shqipërisë me NATO-n apo për furnizimin e Ukrainës, ndaj ai e cilësoi si trafik ndërkombëtar armësh.

Një tjetër pjesë e denoncimit të ish-zëvendëskryeministrit lidhej me financimin e kompanive që operojnë në industrinë e mbrojtjes. Ahmetaj pretendoi se këto kompani kanë përfituar fonde publike përmes procedurave pa tender. Në intervistë ai u ndal konkretisht te Timak Defense, për të cilën deklaroi se ka marrë paradhënie nga buxheti i shtetit dhe ngriti pikëpyetje mbi kapitalin e investuar nga aksionerët privatë.

Ish-zëvendëskryeministri përmendi gjithashtu një rast kur autoritetet italiane kishin sekuestruar raketa, për të cilat tha se vinin nga Greqia dhe se mund të kishin lidhje me Shqipërinë.

Tashmë kërkesa e 39 deputetëve i është drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa çështja pritet të kalojë në procedurat parlamentare për shqyrtimin e kërkesës për ngritjen e Komisionit Hetimor.

 

Top Channel