Pensioni i dashurisë në Kavajë/ Çifti shqiptaro-belg hap shtëpi për fëmijët, piano dhe frëngjisht në qytet

06/09/2026 19:35

Nikollaq Nushi dhe bashkëshortja e tij belge, Marie-Hélène, kanë lënë Belgjikën për të jetuar pensionin në Kavajë.

Të bashkuar nga muzika dhe dashuria për kulturën shqiptare, ata po ndërtojnë një ëndërr të re, një qendër edukative ku fëmijët të mësojnë piano dhe gjuhën frënge.

Në një shtëpi dikur të vjetër në Kavajë, të cilën e kanë transformuar me duart e tyre, muzikanti shqiptar Nikollaq Nushi, 70 vjeç dhe bashkëshortja e tij belge, Marie-Hélène, 66 vjeçe, jetojnë sot një kapitull të ri, plot gjallëri.

Prej një viti, ata kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar vitet e pensionit, ku muzika, fluturat, librat dhe dëshira për të krijuar janë pjesë e përditshmërisë së tyre.

Dashuria e tyre nisi vite më parë në Belgjikë, ku Marie-Hélène, atëherë infermiere, mori leksione pianoje nga Nikollaqi. Pas daljes në pension, të dy vendosën të linin Belgjikën për t’u shpërngulur në Shqipëri.

“Në Belgjikë u dashurova me një shqiptar, Nikollaq Nushin, dhe pas daljes në pension vendosa të vij të jetoj me të në Shqipëri. Dhe jam shumë, shumë e lumtur.” thotë Marie-Hélène.

Flet shqip dhe qesh: “Ty të dua Nikollaq Nushi.” Këtu vazhdon edhe pasioni që dikur i bashkoi.

Për ta, dashuria shkon krah për krah me punën, idetë dhe dëshirën për të krijuar.

(Kur flet ulur para dy makinave të qepjes, tregon se si fituan duke qepur maska gjatë pandemisë dhe blenë shtëpinë.)

Ndërkohë, Milena, siç i thërret Niko, i është përkushtuar një tjetër pasioni, librit dhe kulturës shqiptare. Ka shkruar libra për fëmijë mbi muzikantë, kompozitorë dhe figura historike shqiptare, që dëshiron t’i botojë.

“Jam e apasionuar pas Shqipërisë dhe pas gjithçkaje që lidhet me kulturën shqiptare. Me ndihmën e Nikos kam kërkuar muzikantë, kompozitorë të jashtëzakonshëm shqiptarë, si dhe heronjtë më të mëdhenj dhe kam shkruar jetën e tyre për fëmijët.”

Dhe ëndrra e radhës është “Fluzik”, një qendër edukative në Kavajë, në shtëpinë e tyre, ku fëmijët të mësojnë piano dhe gjuhën frënge.

Top Channel