Kalaja e Gjirokastrës, është monumenti që kryeson turizmin kulturor në vend tonë si e preferuara e turistëve vendas dhe të huaj.
Gjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, 161274 vizitorë kanë blerë bileta për të parë kalanë më të madhe në vend, ndërtuar mbi kodrën që kontrollon Luginën e Drinos, brenda së cilës ndodhet Muzeu i Gjirokastrës, Muzeu Kombëtar i Armatimeve dhe Burgu i Shtatë Penxhereve. Të huajt janë ata që dominojnë bindshëm numrin e vizitorëve, që tërhiqen nga historia e kalasë së ndërtuar mbi gur, që mban emrin e Princeshës Argjiro.
Pas Kalasë së Gjirokastrës, renditet Parku Kombëtar i Butrintit me 158.612 vizitorë nga muaji janar deri në fund të korrikut. Në qytetin antik që tregon historinë mbi 2000 mijë vjeçare sheh çdo ditë të huaj me kombësi nga gjithë bota, e sidomos gjatë verës, kur turistët qe zgjedhin Rivierën Shqiptare e përfshijnë Butrintin në turin e tyre kulturor.
Në vend të tretë, sipas shifrave zyrtare, qëndron Parku Arkeologjik Shkodër me 108.150 vizitorë, që eksplorojnë një territor të gjerë historik dhe ndalen veçanërisht të Kalaja e Rozafës, një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Ndërkohë, gjithsej institucionet dhe qendrat e Trashëgimisë Kulturore gjatë këtyre shtatë muajve janë vizituar nga 824,340 vendas dhe të huaj, duke gjeneruar 316.4 milionë lekë të ardhura, sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Shifrat tregojnë një rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të njëjtën kohë, sipas Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, janë zbuluar 19 site të reja arkeologjike në zona të ndryshme. Një zhvillim i rëndësishëm ishte dhe rikthimi i gërmimeve arkeologjike në Lushnjë, me zbulimet që po bëhen në Zgjanë dhe Murrizë – Peqin.
PERIUDHA JANAR-KORRIK 2026
Institucionet dhe qendrat e Trashëgimisë Kulturore 824,340 vizitorë
Muzetë Kombëtarë 242,371 vizitorë
Parqet Arkeologjike 358,361 vizitorë
Kalatë dhe Monumentet e Kulturës 223,608 vizitorë
Top Channel