Paraqitjes së mirë të Ballkanit në Conference League më shumë se humbja e 3 pikëve, ia veniti atmosferën frika dhe paniku nga incidenti që për pak mund të kishte rezultuar fatal me krisjen e xhamit të pilotit.
Avioni me të cilin po udhëtonin drejt Prishtinë u detyrua të kthehej mbrapsht për një ule emergjente.
Jetullah Kuqi, pjesë e stafit të skuadrës nga Kosova rrëfen për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa ngjarjen.
“Zbritëm nga aeroplani aty dhe ai që doli i fundit dhe na uroi ditëlindjen, na tha “happy birthday”, e kishte në kuptimin që kishim lindur për së dyti, kjo ishte mrekulli. Më pas nxori cigaren dhe falënderoi Zotin që i kishte dhënë sërish mundësinë për ta ndezur një të tillë”, tha Jetullah Kuqi, staf i FC Ballkani.
Si për ironi të fatit piloti i charterit të skuadrës së Ballkanit ishte një serb nga Beogradi, Sasha Pejçiç, i cili në një intervistë për Top Channel tregon gjithçka.
“Po unë jam nga Serbia dhe oficeri im i parë është në Mali i Zi nga Nikshiqi. ishte një grup ballkanik aty, unë ndoqa edhe ndeshjen dhe u mërzita shumë sepse Ballkani kaloi dy herë në pa avantazh. Më vjen mirë sepse ata janë një skuadër e re, unë jam 53 vjeç dhe kam shumë eksperiencë jo vetëm jete, por edhe në aviacion, kam rreth 30 vite që fluturoj dhe mbi 11 mijë orë fluturim”, tha Sasha Pejçiç, piloti i avionit të FC Ballkani.
Po çfarë ndodhi?
“Kjo është një situatë normale, jo normale por normale në aviacion, ajo mund t’i ndodh çdo avioni dhe çdo fluturimi. Megjithatë ne ndoqëm procedurën e Boing dhe ne ia dolëm me sukses të ulemi pa probleme. Ajo që ndodhi nuk pati asnjë efekt për pasagjerët, por sigurisht pati shumë efekt mbi mua”, tha Sasha Pejçiç, piloti i avionit të FC Ballkani.
Çfarë do të ndodhte nëse do të thyhej xhami?
“Xhami i avionit ka tre shtresa që bashkohen me një ngjitës, gjatë fluturimit xhami përplaset me objekte të ndryshme dhe duhet të ketë edhe elasticitet. Fola edhe me kolegë të tjerë për atë që ndodhi dhe kjo është diçka që ndodh, por vendimi i duhur ishte që të kthehesha prapa, të mos vazhdoja ngjitjen dhe ula shpejtësinë, nëse ngjitesha më lartë dhe me më shumë shpejtësi problemi do të shtohej. Nëse xhami do të thyhej ndoshta do të më kishte vrarë mua, ishte disi e vështirë ta dalloje sepse ishte natë. Por ndoqa procedurën dhe u kthyem në Pragë dhe bëra shumë mirë pasi xhami ishte në limite. Çdo gjë shkoi mirë ashtu siç Zoti e kish shkruar”, tha Sasha Pejçiç, piloti i avionit të FC Ballkani.
Një Serb që shpëton jetën e mbi 70 kosovarëve, ngjan si një histori përrallash…
“Unë fluturoj nga Kosova që nga viti 2016 dhe në atë vit kam pasur një tjetër problem, por për shkaqe të kushteve klimaterike, më duhej të devijoja për në Prishtinë por në atë kohë fluturoja për Air Serbian që nuk lejohet të fluturojë në hapësirën ajrore të Kosovës. I kërkova qendrës së kontrollit në Serbi që kam një emergjencë dhe duhet të më jepni linjën e radios me NATO-n që të kërkojë një korridor ajror për t’u ulur në Kosovë. Qendra e Kontrollit tonë ishte konfuze por më dha leje të flas me përfaqësuesit e NATO-s të cilëve i shpjegova që rrezikoja jetën e disa njerëzve dhe e shoqëruan udhëtimin deri në ulje me 3 avion luftarak. unë nuk merrem me politik as me fe, unë i dua të gjithë popujt e Ballkanit”, tha piloti.
Ballkani priti një avion tjetër, dhe një tjetër kapiten për t’u kthyer në Prishtinë me 7 orë vonesë, megjithatë lidhja e stafit me Sashën tashmë është më tepër se sa profesionale.
“Sapo mbërritën në Prishtinë përfaqësuesit e Ballkanit më falënderuan për gjithçka dhe më thanë jenë i ftuar në Suharekë nëse do”, tha Pejçiç.
Top Channel