“Duhet të përmirësohemi”/ Amorim kërkon reagim pas humbjes me Benficën: Me Leccen vetëm për fitore

19/09/2026 15:12

Trajneri i Milanit, Ruben Amorim, ka dalë në konferencën për shtyp para sfidës së së dielës në mbrëmje ndaj Lecces në “San Siro”, me kuqezinjtë që kërkojnë të rikthehen te fitorja pas humbjes në Europa League ndaj Benficës.

Amorim theksoi se skuadra duhet të reagojë menjëherë dhe të përmirësojë disa aspekte të lojës. “Kur humbet, nuk je i njëjti person. Nëse do të ishe, diçka nuk do të shkonte. Kur je konkurrues, gjithmonë dëshiron të fitosh. Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por skuadra është gati për ndeshjen e radhës. Kam zhvilluar një bisedë me ekipin për gjërat që duhet të përmirësojmë dhe ecim përpara”, u shpreh ai.

Trajneri portugez foli edhe për rëndësinë e sfidës në “San Siro”, në ditët kur po festohet 100-vjetori i stadiumit. “Duam të fitojmë dhe të luajmë mirë në stadiumin tonë, për t’i dhuruar një kënaqësi tifozëve tanë”, deklaroi Amorim.

Sa i përket humbjes me Benficën dhe ndryshimeve në formacion, ai hodhi poshtë idenë se rezultati erdhi për shkak të rotacionit. “Edhe Benfika ndryshoi nëntë lojtarë, duhej të bënim rotacione. Nuk e humbëm atë ndeshje për shkak të formacionit titullar. Benfika shënoi në rastet që pati. Ne patëm më shumë mundësi, më shumë prekje në zonën kundërshtare dhe më shumë posedim, por nuk arritëm të shënonim”, tha ai.

Amorim u ndal edhe te mungesa e golave në pjesët e para të ndeshjeve, duke theksuar se skuadra duhet të jetë më e kujdesshme në mbrojtje. “Më shumë se çdo gjë tjetër, nuk duhet të pësojmë gol. Kjo është e rëndësishme”, tha trajneri.

Për sistemin e lojës, ai theksoi se kritikat shpesh lidhen me rezultatet: “Flitet për sistemin e lojës edhe për shkak të rezultateve. Nuk jam aq i lidhur me skemën. Më shumë se moduli, rëndësi kanë parimet e lojës”.

Në konferencë, Amorim foli edhe për Luka Modriçin dhe menaxhimin e lojtarëve me eksperiencë. “Askush këtu nuk dëshiron të fitojë më shumë se unë. Përpiqem të kem ekuilibër në gjithçka dhe duhet të mendoj edhe për afatin e gjatë”, u shpreh ai.

Në fund, trajneri foli për Gonçalo Ramos, i cili nuk ka gjetur ende rrjetën në ndeshjet e fundit. “Duhet ta ndihmojmë dhe t’i krijojmë më shumë raste të qarta. Duhet të përmirësojmë mirëkuptimin mes lojtarëve”, përfundoi Amorim.

Top Channel