Në fjalimin e saj të fundit, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht e bëri të qartë se tashmë vendi i vet duhet të përgatitet për një tjetër fazë: atë të shtimit të përgjegjësive ushtarake në Europë.

Implikime të ndërrimit të epokave për strategjinë kombëtare të sigurisë për Gjermaninë”, ishte titulli i fjalimit të saj ku kërkohej veç të tjerash lehtësim i eksporteve ushtarake dhe më shumë fonde për ushtrinë gjermane. Ministrja e theksoi hapur pretendimin e Gjermanisë për një rol drejtues në Europë nga ana ushtarake.

“Një rol i tillë i takon Gjermanisë, thjesht për shkak të madhësisë së saj, edhe kundër vullnetit gjerman. Këtë rol drejtues, Gjermania nuk e kërkon thjesht nga dëshira për sundim, por për t’i dhënë forcë rendit të paqes. Gjermania është anëtare e aleancave, ka vështrim të kthjellët për pushtetin dhe elementin ushtarak, ka institucione të forta dhe një kulturë paqësore. Prandaj askush nuk duhet të ketë frikë nga roli drejtues i Gjermanisë”, tha Christine Lambrecht, ministre gjermane e Mbrojtjes.

Mbi bazën e këtij argumentimi, Lambrecht shprehu gatishmërinë për të mbajtur një përgjegjësi më të madhe dhe për të investuar më shumë në siguri. Edhe ambasadorja amerikane në Gjermani, Amy Gutmann kishte bërë fjalë për “rol drejtues” të Gjermanisë.

Diplomatja amerikane u shpreh në televizionin e dytë gjerman, ZDf, me kujdes për më shumë mbështetje gjermane për Kievin. Gjermania dëshiron të marrë më shumë rol udhëheqës.

“Ne shpresojmë dhe presim që Gjermania edhe ta përmbushë këtë”, tha Gutmann duke shtuar, se duhet të bëjmë gjithçka që mundemi. Ndërkohë, një rol drejtues për Gjermaninë në Europë e ka pretenduar më parë edhe bashkëkryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, i cili qe shprehur se “politika e paqes për mua është të shohësh edhe dhunën ushtarake si mjet legjitim të politikës.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA