Video/ Nuk i dilte pensioni për të jetuar, ish-polici në Turqi merr vendimin drastik gjatë protestës: Jo për paratë, por për dinjitetin tim

28/09/2026 23:00

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë një proteste të pensionistëve në Ankara të Turqisë, ku një ish-polic 60-vjeçar i dha fund jetës para protestuesve, ndërsa kërkonte rritje të pensioneve.

Ali Sekeroglu u vetëvra me armë zjarri gjatë protestës së zhvilluar përpara Gjykatës Kushtetuese. Sekeroglu kishte marrë pjesë në protestë i mbuluar me flamurin turk dhe mbante në duar një pankartë ku shkruhej: “Jo për paratë, por për dinjitetin tim”.

Ai kishte deklaruar se nuk arrinte të përballonte shpenzimet e jetesës dhe kishte akuzuar përgjegjësit për situatën në të cilën ndodhej. Pak para protestës, ish-polici kishte bërë thirrje në rrjetet sociale për pjesëmarrje në tubim, duke shkruar:

“Nëse nuk je aty, do të mungojë një person. Mos thuaj: ‘Çfarë ndryshimi do të bëjë nëse nuk shkoj?’ Forca qëndron te bashkimi”.

Ai kishte bërë gjithashtu thirrje që autoritetet dhe drejtuesit e vendit të dëgjonin shqetësimet e pensionistëve. Sipas mediave turke, Sekeroglu ishte baba i dy fëmijëve dhe së fundmi ishte bërë gjysh. Raportohet se për shkak të vështirësive ekonomike nuk kishte mundësi t’i bënte nipit dhuratën prej ari, një traditë e zakonshme në Turqi.

Protestat e pensionistëve u zhvilluan të premten në qytete të ndryshme të Turqisë. Protestuesit kërkuan rritje të pensioneve, duke argumentuar se të ardhurat mujore nuk mjaftojnë për të përballuar nevojat bazë.


Në muajin korrik, pensioni minimal në Turqi ishte 23 552 lira turke në muaj, rreth 420 euro. Ndërkohë, Shoqata e Policëve ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar janë regjistruar katër raste vetëvrasjeje mes punonjësve dhe ish-punonjësve të policisë, dy policë në detyrë dhe dy ish-policë.

Sipas të njëjtave raportime, një prej rasteve ka ndodhur në Jallovë, ku një pjesëtar i forcave speciale, i cili kishte vetëm dy muaj që punonte në polici, i dha fund jetës. Një tjetër rast është regjistruar në Manisa, ku një ish-polic u vetëvra në banesën e tij.

Top Channel