3 humbje që peshojnë/ Për momentin Inzaghi i sigurt, por Inter ka gati zëvendësuesin

09/09/2022 08:28

Italianët e njohin mirë shprehjen; “Nuk ka dy, pa tre”. Një thënie të cilën Interin e respektoi më së miri teksa disfatave në kampionat ndaj Lazios fillimisht dhe më pas ndaj Milanit në derbi, iu shtua edhe humbja 0-2 ndaj Bayern Munich në Champions League.

3 humbje në gjashtë ndeshjet e para sezonale dhe ambienti zikaltër tashmë nuk është më edhe aq i qetë teksa trajneri Simone Inzaghi duhet të “shkundë” skuadrën pasi sfida e radhës është ndaj Torinos që në këto pesë ndeshjet e para të kampionatit ka treguar qëndrueshmëri duke grumbulluar 10 pikë, një më shumë se vetë Inter.

Pas “Granatave”, radhën e ka Plzen në Champions dhe më pas Udinese në Serie A, para se kampionati të ndërprehet për ndeshjet e kombëtareve. Janë pikërsiht tre sfidat e sipërpërmendura që mund të përcaktojnë edhe fatin e Inzaghit, pavarësisht se nuk ka kaluar shumë kohë prej momentit kur tekniku rinovoi kontratën.

Aktualisht, drejtuesit i kanë dhënë besim, megjithatë ata janë të gatshëm të manovrojnë në çdo moment teksa në Itali zbulojnë se nëse situata nuk përmirësohet dhe Inzaghi shkarkohet, atëherë i favorizuar për të marrë “timonin” e Interit do të ishte Roberto De Zerbi, i cili më parë ka drejtuar Sassuolon dhe Shakhtar Donetsk.

Ndërkohë, në listë është edhe emri i Thiago Motta-s që e njeh mirë ambientin zikaltër duke qenë se ka shërbyer aty në rolin e futbollistit. Motta, sezonin e kaluar tregoi një pjekuri të madhe në rolin e trajnerit teksa ia doli të shpëtonte Spezia nga rikthimi në Serie B./ Super Sport

Top Channel