Prej tri vitesh Benzema luan me dorë të fashuar, zbulohet arsyeja

07/09/2022 11:27

Ai është një nga sulmuesit më të rëndësishëm të mijëvjeçarit të tretë, lider i Realit të Madridit, i aftë për të fituar gjithçka me “Los Blancos”.

Sulmuesi “vdekjeprurës”, Karim Benzema, është bërë protagonist absolut i klubit spanjoll pas lamtumirës së Cristiano Ronaldos. Tani sytë janë tek ai.

Nuk janë vetën golat e tij që tërheqin vëmendjen e tifozëve: prej vitesh, në fakt, ish-sulmuesi nga Lyoni luan me dorën e djathtë të fashuar dhe për këtë e ka një arsye.

Benzema nuk e mban fashon në jetën private dhe as në stërvitje. As në nxemje para ndeshjes. Megjithatë, kur del në fushë me Realin e Madridit dhe Francën, gjithmonë e ka të fashuar dorën e djathtë.

Historia nis në janar 2019, pas një përplasjeje me Marc Bartra të Betisit, që shkaktoi thyerjen e gishtit të vogël të dorës së djathtë. Lojtari duhet të zgjidhte mes operacionit me një ndalesë prej dy muajsh, apo konfirmimit në fushë. Benzema zgjodhi të fashonte dorën për të shmangur përkeqësimin.

Ndërhyrja është shtyrë vazhdimisht nga Benzema, i cili nuk dëshiron të qëndrojë gjatë larg fushës as në verë, nisur nga angazhimet e shumta me Francën.

Benzema pësoi një goditje tjetër në dorë në vitin 2020, duke e detyruar të mbajë fashon, e cila tashmë është kthyer në traditë dhe fatsjellëse. Benzema është bërë mbret i golave dhe i asistimeve. Operacioni tani është shtyrë për më shumë se tre vjet, sepse nuk dëshiron të mungojë në asnjë ndeshje./ Super Sport

Top Channel