Pasuesi i Tuchel te Chelsea? Zbulohen kandidatët favoritë për stolin e “Bluve të Londrës”

07/09/2022 13:53

Sezoni i Chelsea ka nisur me shumë ulje e ngritje teksa skuadra ka pësuar tre humbje në shtatë ndeshje, duke përfshirë edhe atë të Champions League ndaj Dinamo Zagreb.

Favoritë në këtë moment cilësohet Graham Potter që aktualisht drejton skuadrën e Brighton në Premier League. 47-vjeçari e njeh mirë kampionatin ndërsa ka dhënë shenja pozitive në tre vite në krye të Brighton teksa këtë sezon e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme me skuadrën që aktualisht është në vend të katërt. Nëse marrëveshja me Potter do të mbyllej me sukses atëherë për trajnerin do të ishte me siguri arritja më e madhe pasi kurrë më parë nuk ka drejtuar një klub elitar.

Nga ana tjetër, një opsion shumë i kuotuar është Mauricio Pochetino i mbetur pa punë pas aventurës me PSG. Argjentinasi edhe më parë është lakuar për të marrë drejtimin e londinezëve, saktësisht në fundin e vitit 2020, kur Lampard po haste vështirësi në Stamford Bridge. SuperSport shkruan se megjithatë, kjo mund të jetë hera e duhur ndërsa Pochetino do të rikthehej në Premier League pas aventurës me Tottenham.

Sa i përket Zidane dhe Terry, shanset janë më të ulëta. I pari, edhe pse nuk e ushtron profesionin nga viti 2021 kur u largua nga Real Madrid, është i lidhur me kombëtaren e Francës dhe pritet të emërohet në krye të “Gjelave” me të përfunduar Botërori i Katarit. Ndërkohë, ish-mbrojtësi i Chelseat, Terry e ka pranuar se ëndërron të bëhet trajner teksa ka marrë përvojë nga roli i asistentit në klubin e Aston Villa-s. Megjithatë, në këtë moment, Chelsea është duke kërkuar një trajner me eksperiencë duke qenë se situata në skuadër nuk është favorizuese për një trajner të ri.

Top Channel