Shkëlqimi dhe rënia e Leicester City/ Kriza është ulur “këmbëkryq” në shtëpinë e ish-kampionëve të Anglisë

06/09/2022 13:22

Leicester City pësoi 5 gola në humbjen e javës së 6 në Premier League, e cila ishte edhe humbja e 5 radhazi në kampionat.

Pjesë e elitës nga viti 2014 dhe një skuadër shumë larg asaj që triumfoi dhe surprizoi me titullin kampion në sezonin 2015-2016.  Brendan Rodgers vijon të jetë në krye të skuadrës dhe pse pritej shkarkimi i tij, duket se klubi do t’i japë edhe një mundësi të fundit trajnerit. Në shkurtin e vitit 2017 Ranieri u shkarkua pikërisht nga bordi i klubit, pasi regjistroi 5 humbje radhazi, por tani, shkarkimi i Rodgers nuk duket alternativa më e mirë e mundshme.

“Ne jetojmë në një botë dhe në një profesion ku nëse fiton një ndeshje je më i miri, por nëse humbet ndeshjen tjetër konsiderohesh si një dështim.” – tha Rodgers pas takimit me Brighton.

Leicester ka vetëm një pikë në klasifikim dhe ka pësuar në total 16 gola, ndërsa më keq ka bërë vetëm Bournemouth me 18  gola të pësuar, gjysma prej të cilave erdhi ndaj Liverpool.

Por, humbja e tyre e fundit në “Amex Stadium” ndaj Brighton shfaqi një numër çështjesh të tjera dhe të dukshme.” Dhelprat” u shfaqën të cekët në mesfushë dhe nervozë në mbrojtje, aq sa mes lojtarëve u pa edhe një nervozizëm mes tyre, në disa momente i tepruar, a thua se ishin rivalë dhe jo shokë skuadre.

Leicester ishte një nga skuadrat që në merkato jo vetëm dështoi të transferonte lojtarë të rëndësishëm, por edhe humbi emra me peshë si Fofana dhe Schmeichel.

SuperSport shkruan se burime pranë klubit dhe siç raportojnë mediet britanike, është vetëm çështje kohe para se Rodgers të shkarkohet nga klubi, por një rezultat pozitiv kundër Aston Villa mund të ndryshonte disi kursin e trajnerit, ose më thjeshtë do të zgjaste qëndrimin e tij në klub.

Tani nuk bëhet fjalë për favorizime apo jo të kalendarit, por në “King Power Stadium”, përballë Aston Villa do të kërkohet vetëm suksesi i plotë, e më pas, Leicester do të luajë ndaj Tottenham në transfertë, përpara se të shkojë në dy takime gati gati direkte, ndaj Nottingham Forest dhe Bournemouth.

Top Channel