Kjo fundjavë nuk ka qenë mjaft pozitive për legjionarët kuqezi, por lajme të mira vijnë nga Shpresat.

Anis Mehmeti vijon të jetë në formë mjaft të mirë, teksa edhe këtë fundjavë arriti të gjejë sërish rrugën e rrjetës me ekipin e tij Wycombe Wanderers në Angli. Ky është goli i katërt për futbollistin e Shpresave, duke e nisur sezonin mjaft mirë.

Sakaq, edhe Eljon Toçi, sulmuesi kuqezi i cili aktivizohet me ekipin e nën 19 vjeçarëve të Fiorentinës arriti të realizojë golin e parë të sezonit kundër Milanit. Djaloshi shqiptar, i graduar edhe kapiten te Fiorentina U-19 i dha fitoren skuadrës së tij, teksa goli i tij ishte rrjeta e vetme e sfidës.

Sa i përket legjionarëve, një pjesë e mirë e tyre e nisën sfidën si titullarë, ndërsa të tjerë nga stoli.

Ernest Muçi po kthehet në formën e tij të mirë. Sulmuesi shqiptar e nisi nga stoli sfidën, por goli i fitores erdhi nga këmbët e tij. Muçit iu deshën vetëm 17 minuta që të jepte asist për shokun e skuadrës, që realizoi golin e vetëm të ndeshjes.

Myrto Uzuni, edhe pse ishte një nga lojtarët më të mirë në radhët e Granadës, në kampionatin e dytë më të rëndësishëm spanjoll, duke u vlerësuar edhe nga uebsajti i specializuar për statistika “SofaScore” me notën 7.3, nuk e gjeti dot golin e radhës me ekipin.

Pas rinovimit të kontratës me Chelsea-n, sulmuesi kuqezi, Armando Broja u fut nga stoli në ndeshjen që blutë zhvilluan kundër West Ham United. Vetëm 30 minuta në dispozicion për djaloshin shqiptar në këtë sfidë, që sigurisht i duhet më shumë kohë dhe minuta për të treguar potencialin e tij.

Keidi Bare e nisi nga stoli me Espanjolin, por nuk luajti më shumë se 15 minuta pas dëmtimit që pësoi, duke lënë fushën e lojës. Klubi nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare lidhur me gjendjen e futbollistit shqiptar.

Edhe mesfushori kuqezi Qazim Laçi e nisi sfidën si titullar, duke u aktivizuar për 70 minuta në radhët e ekipit francez të Ajaccio, por nuk arriti të lërë gjurmë, pavarësisht paraqitjes së mirë.

Minuta pati edhe për Elseid Hysaj, Endri Çekiçin, Enis Çokaj, Herdi Prengën e Klaus Gjasulën./ Super Sport

Top Channel