Nëpërmjet kanaleve zyrtare të klubit, Chelsea njofton se do të vijojë bashkëpunimin me Reece James.

Mbrojtësi ka gjetur gjuhën e përbashkët me drejtuesit dhe ka firmosur një kontratë gjashtëvjeçare, ashtu siç bëri para pak ditëve edhe lojtari i Shqipërisë, Armando Broja.

22-vjeçari është një prodhim i akademisë së Bluve të Londrës duke qenë pjesë e moshave prej vitit 2016 ndërsa është larguar vetëm një herë nga Chelsea , kur në sezonin 2018-2019 u huazua tek Wigan. Megjithatë, prej sezonit të shkuar, James është shndërruar në një lojtar titullar të formacionit të trajnerit Thomas Tuchel, ndërsa edhe këtë vit i ka nisur nga minuta e parë pesë nga gjashtë ndeshjet e Premier League duke shënuar një gol dhe asistuar në një tjetër rast.

Pas rinovimit të kontratës, James u shpreh i lumtur që vijon të përfaqësojë Chelsean, klubin që ka mbështetur prej fëmijërisë ndërsa nuk ngurroi edhe t’i premtonte tifozëve se e ardhmja për skuadrën do të ishte triumfuese./ Super Sport

Top Channel