Reali kthehet në shtëpi, Ancelotti: La Liga me shumë rivalitet

02/09/2022 16:25

Reali i Madrid rikthehet të luajë në “Santiago Bernabeu”, pasi të tria përballjet e para në La Liga i kanë luajtur në transfertë.

Kampionët e Spanjës në javën e katërt do të përballen me Real Betisin, një duel i fortë për vendin e parë në renditje, pasi vetëm këto dy skuadra janë me pikë të barabarta, nga nëntë.

Trajneri Carlo Anceloti ka dalë në konferencën për shtypin përpara ndeshjes. Italiani fillimisht foli për ndeshjen përballë Betisit dhe ndjesinë e rikthimit në shtëpi.

“Ndjenjë e mirë. Kemi pasur momente të bukura në “Bernabeu” vitin e kaluar dhe shpresojmë që të jetë e njësoj po këtë sezon. Është një lojë e vështirë kundër një kundërshtari që do të konkurrojë fort. Le të shohim nëse do të na ndalë.

Ideja jonë nuk ndryshon, duam të ruajmë të njëjtin identitet. Në shtëpi duam të jemi më intensivë dhe agresivë, por identiteti ynë nuk ndryshon. Betisi është në formë të mirë dhe ka besim, por ne jemi gati. Tani fillon sezonin, sepse ne luajmë çdo tri ditë”

Trajneri i Kampionëve të Evropës ka folur edhe për favoritët në La Liga.

“Çdo sezon ka dinamikën e vet, mendoj se La Liga do të jetë më konkurruese. Ne kemi një skuadër shumë të mirë në të gjitha pozicionet dhe do të garojmë dhe luftojmë”.

Sfida, e cila do të startojë në orën 16:15, do të transmetohet “live” në Super Sport 2./ Super Sport

Top Channel