Të mëdhenjtë nuk gabojnë/ Medvedev e S.Williams, në raundin e tretë të US Open

01/09/2022 12:33

Pretendentët për fitoren e turneut të fundit Grand Slam të vitit vijojnë rrugëtimin e tyre në turneun e Flushing Meadows.

Daniil Medvedev, numri 1 i botës nuk hasi në asnjë vështirësi në ndeshjen e tij të raundit të dytë me francezin Rinderknech të cilin e mundi me rezultatin 3-0 dhe si kundërshtar të radhës do të ketë tenistin  kinez Yibing Yu.

Pasi fitoi setin e parë 6-2, Medvedev hasi në një rezistencë më të madhe në fraksionin e dytë të sfidës që gjithsesi arriti ta fitojë 7-5, ndërsa setin e tretë e mbylli me rezultatin 6-3.

U kualifikua për në raundin tjetër edhe Andy Murray që mundi amerikanin Nava me rezultatin 3-1. Britaniku nuk e nisi aspak mirë sfidës pasi e humbi setin e parë 5-7, por Murray e mori shumë shpejt veten teksa arriti të fitojë me lehtësi 3 setet e tjerë 6-3;6-1 dhe 6-0 për të vijuar aventurën e tij në tokën njujorkeze.

Në kampin e vajzave, Serena Williams vazhdon të mbajë gjallë ëndrrën për të fituar titullin e shtatë në US Open dhe të 24 Grand Slam në karrierë. Tenistja amerikane eliminoi në raundin e dytë Anett Kontaveit duke e mundur me rezultatin 2-1.

Serena Williams fitoi me vështirësi setin e parë 7-6 me Tiebreak dhe humbi të dytin 2-6. por në setin final, amerikania diti t’i imponohet kundërshtares së saj duke e fituar këtë fraksion 6-2 për të kaluar në raundin e tretë ku përballë do të ketë Alja Tomljanoviç.

Top Channel