Ajax kërkon 100 milionë euro për Antony, identifikon në Angli pasuesin e brazilianit

28/08/2022 14:53

Drejtuesit e Manchester United do të provojnë deri në ditën e fundit të merkatos për të transferuar në Old Trafford, Antony nga Ajax.

Braziliani është një kërkesë ekskluzive e trajnerit Erik ten Hag, i cili duke qenë se ka punuar me sumuesin anësor te “Harkëtarët”, beson se 22-vjeçari mund të shkëlqejë edhe me fanellën e “Djajve të Kuq”.

Por, deri më tani, holandezët i kanë rezistuar ofertave të United edhe pse së fundmi, anglezët e rritën stekën deri në 90 milionë euro. Megjithatë, Ajax, pavarësisht dëshirës së lojtarit për t’u larguar, këmbëngul që Antony të shitet vetëm sipas kushteve të tyre dhe i kanë bërë të qartë klubit nga Manchesteri se do të “shtrëngojnë duart” vetëm nëse vjen një ofertë prej 100 milionë euro.

Anglezët janë tërhequr për të menduar hapin e radhës në këtë lojë nervash me Ajax, ndërsa këtë të fundit kanë identifikuar edhe zëvendësuesin e Antony nëse sulmuesi kalon te United. “Harkëtarëve” iu pëlqen Anwar El Ghazi, lojtar në pronësinë e Aston Villa-s për të cilin në lojë është edhe PSV.

Gjithsesi, me paratë e siguruara nga Antony, Ajax nuk do ta kishte të vështirë të fitonte garën me rivalët e Eredivisie për shërbimet e 27-vjeçarit, aq më tepër që do të bëhej fjalë për një rikthim të holandezit te ish-klubi i tij. Kjo pasi El Ghazi ka qenë pjesë e Ajax për tre vite nga 2014-ta deri në 2017-tën.

Top Channel