Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s takoi veҫmas në Bruksel kryeministrin e Kosovës Kurti dhe presidentin e Serbisë Vuҫiq. Jens Stoltenberg tha se NATO-ja është e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në Kosovë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit, që të shmangin përshkallëzimin e situatës, ndonëse sipas tij, situata në teren është përmirësuar. Po ashtu Stoltenberg tha se forcat paqeruajtëse të KFOR-it janë të gatshme të ndërhyjnë në rast të destabilizimit të situatës në Kosovë.

Këto deklarata Stoltenberg i bëri pas takimeve të ndara që pati në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, një ditë para së të dy udhëheqësit të takohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Stoltenberg empfängt Serbiens Präsident Vucic

Thirrja e Kurtit dhe Vuҫiçit në Bruksel është një përpjekje e BE-së, që të ulë tensionet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, pas vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë në veri të Kosovës, si reagim i një vendimi të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë lidhur me dokumentet udhëtimit dhe targat e makinave.

NATO-ja vazhdon ta mbikëqyrë nga afër gjendjen në terren

“Përderisa situata në terren është përmirësuar, është përgjegjësi e të gjitha palëve, posaçërisht zyrtarëve nga Beogradi dhe Prishtina të parandalojnë përshkallëzimin e sërishëm. U bëj thirrje të gjitha palëve që të përmbahen dhe të shmangin dhunën. NATO-ja vazhdon ta mbikëqyrë nga afër gjendjen në terren. Misioni ynë paqeruajtës i KFOR-it mbetet i përqendruar në mandatin e dhënë nga Kombet e Bashkuara. Nëse rrezikohet stabiliteti, atëherë KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, duke njoftuar njëkohësisht që trupat e KFOR-it kanë shtuar praninë në veri të Kosovës.

Sekretari i NATO-s tha se bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian janë platforma për të zgjidhur dallimet dhe për të gjetur një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.

Vuҫiç skeptik për takimin

“Unë e përshëndes raundin e ri të dialogut dhe inkurajoj të gjitha palët të angazhohen me mirëbesim, të tregohen fleksibël dhe konstruktive”, tha ai pas takimit me presidentin serb Vuҫiq. Ky i fundit bisedimet me Prishtinën i cilësoi si të vështira duke thënë se “nuk pajtohemi pothuajse për asgjë”.

Stoltenberg empfängt Serbiens Präsident Vucic

“Serbia do të vazhdojë të respektojë mandatin e KFOR-it në Kosovë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, sipas normave të Kombeve të Bashkuara. Besoj që gjithmonë do të jemi në gjendje të kuptohemi për dëshirën e vetë zotit Stoltenberg dhe të tërë NATO-s dhe KFOR-it që të vendosim paqe dhe qëndrueshmëri. Kam thënë se paqja dhe qëndrueshmëria kanë rëndësi thelbësore për Serbinë”, tha Vuҫiq.

Kurti këmbëngul për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se qeveria e Kosovës do ta zbatojë vendimin për reciprocitetin për dokumentet e udhëtimit dhe targat e makinave nga një shtatori dhe për këtë kërkoi mbështetjen e BE-së dhe NATO-s për të vazhduar “luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Nuk mund të shmangim politikat e vendosura, duhet të ketë zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit. Na duhet mbështetja nga BE-ja, NATO, perëndimi demokratik për një vend demokratik si Kosova”, tha Albin Kurti në konferencën e shtypit me shefin e NATO-s.

Anëtarësimi i Kosovës  në NATO

Kryeministri i Kosovës kërkoi anëtarësimin e Kosovës  në NATO, sepse sipas tij “kjo do të na mundësojë që të japim atë që vendet anëtare na kanë dhënë ne, dhe jemi të gatshëm që të kontribuojmë në çdo operacion të NATO-s, me të gjitha kapacitetet tona”.

Stoltenberg empfängt Premierminister des Kosovo Kurti

“Kërcënimet rreziqet dhe sfidat që NATO-ja i përballon sot, ndjehen edhe nga vendi ynë. Institucionet kanë arsye të jenë vigjilentë në agjendën e dëmshme ruse për Ballkanin dhe Evropën. Qeveria dhe populli i Kosovës e vlerëson besimin dhe përkushtimin e NATO-s, për paqe të qëndrueshme dhe për sigurinë”, tha kryeministri Kurti.

Takimi i së enjtes (18.08) ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, është i treti me radhë. Sipas njoftimit zyrtar të Bashkimit Evropian takimi Kurti-Vuçiq do të përqendrohet në mundësitë se si mund të avancohet dialogu drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve. Po ashtu synohet që në këtë takim të trajtohen çështjet aktuale që kanë për qëllim zbutjen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA