“Tragjedia e Torontos”/ Goli i anuluar tërbon mediat kroate, ironi me prekjen e Matanoviç: Sikur të kishe qenë qeros, ashtu nuk e prekje topin
Ndeshja mes Kroacisë dhe Portugalisë në Kupën e Botës u mbyll mes polemikash, pasi kroatëve iu anulua një gol në minutën e 103-të, një vendim që rezultoi vendimtar për eliminimin e tyre dhe kualifikimin e Portugalisë në fazën e 1/8-ave.
Skuadra e drejtuar nga Luka Modriç kishte kaluar në avantazh në minutën e 53-të me golin e Ivan Perisiç, ndërsa Portugalia barazoi me Cristiano Ronaldon nga pika e bardhë. Në minutën e 94-t, Gonçalo Ramos realizoi golin e fitores 2-1 për portugezët.
Megjithatë, momenti më i diskutuar i takimit ndodhi në minutën e 103-të, kur Joško Gvardiol dërgoi topin në rrjetë duke menduar se kishte barazuar rezultatin. Goli u anulua për pozicion jashtë loje pas ndërhyrjes së VAR-it.
Sipas shpjegimit të FIFA-s, teknologjia e integruar në topin zyrtar të Botërorit zbuloi se Igor Matanović kishte prekur topin gjatë aksionit, edhe pse kjo nuk ishte e dallueshme nga pamjet televizive. Kjo prekje bëri që Mario Pašalić të konsiderohej në pozicion jashtë loje në momentin që mori topin dhe asistoi për Gvardiolin.
Arbitri norvegjez Espen Eskås u thirr gjithashtu pranë monitorit të VAR-it për të verifikuar nëse mbrojtësi portugez Renato Veiga kishte bërë një ndërhyrje të qëllimshme ndaj topit, çka do ta anulonte pozicionin jashtë loje. Pas rishikimit, arbitri konfirmoi vendimin për anulimin e golit.
Pas ndeshjes, FIFA publikoi një deklaratë zyrtare duke sqaruar se sistemi Connected Ball Technology, i integruar në topin zyrtar Adidas Trionda, regjistroi kontaktin e Matanović me topin.
“Bazuar në të dhënat e ofruara nga Connected Ball Technology, u konfirmua se Igor Matanović preku topin gjatë ndërtimit të aksionit të golit ndaj Portugalisë, duke i mundësuar arbitrit të vendoste saktë për pozicion jashtë loje dhe të anulonte golin. Sensorët IMU të vendosur brenda topit janë në gjendje të regjistrojnë edhe prekjet më të lehta, duke u ofruar arbitrave të dhëna të sakta dhe të shpejta për marrjen e vendimeve”, thuhet në deklaratën e FIFA-s.
Vendimi shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë tifozë vunë në dyshim anulimin e golit, ndërsa FIFA këmbënguli se teknologjia e përdorur konfirmoi pa asnjë dyshim prekjen që çoi në pozicionin jashtë loje.
Top Channel