Princesha italiane mund të bëhet Zonja e Parë e Francës, romanca e liderit të ekstremit të djathtë francez nxit debat politik: Hipokrizi!

03/07/2026 22:58

Romanca e liderit të ekstremit të djathtë francez, Jordan Bardella, me princeshën italiane Maria Carolina de Bourbon des Deux-Siciles po kthehet në një sfidë politike për Tubimin Kombëtar, ndërsa kundërshtarët e akuzojnë se po largohet nga imazhi i politikanit pranë klasës punëtore dhe po afrohet me elitat që prej vitesh kritikon.

Marrëdhënia mes eurodeputetit 30-vjeçar dhe aristokrates italiane ka marrë vëmendje të madhe mediatike muajt e fundit, por sipas analistëve dhe figurave të partisë së tij, ajo po rrezikon të ndikojë në perceptimin publik të Bardellës, në prag të një periudhe vendimtare për karrierën e tij politike.

Debati u intensifikua pas paraqitjes së çiftit në Çmimin e Madh të Monakos në fillim të qershorit. Pamjet e Bardellës duke shijuar eventin luksoz në shoqërinë e princeshës u publikuan në një moment kur Franca ishte e tronditur nga përdhunimi dhe vrasja e një vajze 11-vjeçare. Disa ditë më vonë, i pyetur në një emision televiziv nëse prania e tij në Monako ishte e papërshtatshme, Bardella reagoi me nervozizëm.

“A është kjo një pyetje serioze? Ka marshime të heshtura çdo ditë”, u përgjigj ai, duke shtuar se familja e viktimës kishte kërkuar që politikanët të mos merrnin pjesë në ceremoninë përkujtimore.

Deklarata shkaktoi kritika në mediat franceze dhe shqetësim edhe brenda radhëve të Tubimit Kombëtar. Burime të partisë e cilësuan episodin si një “gabim politik”, duke paralajmëruar se mund të krijojë perceptimin e mungesës së empatisë ndaj ngjarjeve që prekin opinionin publik.

Jordan Bardella ka ndërtuar profilin e tij politik mbi historinë personale si djalë i një familjeje të zakonshme nga periferitë e Parisit, duke u paraqitur si përfaqësues i klasës punëtore franceze dhe kritik i elitave politike e ekonomike.

Në anën tjetër, partnerja e tij vjen nga një prej familjeve aristokrate më të njohura të Italisë. Maria Carolina de Bourbon des Deux-Siciles është trashëgimtare e një pasurie të konsiderueshme familjare dhe jeton mes rezidencave luksoze në Monako, Paris, Saint-Tropez dhe Sardenjë. Ajo është gjithashtu një figurë e njohur në rrjetet sociale, ku promovon marka luksoze dhe publikon shpesh imazhe nga udhëtimet dhe aktivitetet e saj.

Ky kontrast mes origjinës së Bardellës dhe stilit të jetesës së partneres së tij është shfrytëzuar nga kundërshtarët politikë, të cilët e akuzojnë liderin e ekstremit të djathtë për hipokrizi.

Çifti bëri daljen e parë publike në prill, kur u shfaq në kopertinën e revistës “Paris Match”. Megjithatë, pjesëmarrja në Monako ishte momenti që e shndërroi historinë personale në debat politik.

Sipas mediave franceze, Bardella dhe princesha janë njohur gjatë një aktiviteti të Formula 1 në vitin 2025 dhe prej atëherë kanë qenë së bashku në disa evente publike.

Vetë Bardella ka folur rrallë për jetën private. Në një intervistë të mëparshme ai tha se partnerja e tij nuk merret me politikë.

“Ajo është pranë meje, është një grua e jashtëzakonshme dhe jam shumë i lumtur”, është shprehur ai.

Në politikën franceze, jeta sentimentale e liderëve rrallë ka prodhuar pasoja elektorale. Megjithatë, pasuria dhe mënyra e jetesës mbeten tema shumë më të ndjeshme për opinionin publik.

Sipas raportimeve të mediave franceze, familja e Maria Carolinës zotëron një pasuri që vlerësohet mbi 130 milionë euro, ndërsa ajo është rritur mes rezidencave luksoze dhe është arsimuar nga mësues privatë.

Top Channel