“Jemi përballë një tragjedie njerëzore”, mbi 900 efektivë në terren, policia spanjolle vijon identifikimin e viktimave përmes ADN-së
Të paktën 68 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga aksidenti i rëndë hekurudhor në Spanjë. Ndërkohë, regjistrime audio të publikuara nga mediat spanjolle zbulojnë komunikimet mes makinistëve dhe qendrës së kontrollit në minutat para përplasjes.
Aksidenti ndodhi të mërkurën në mëngjes, kur një tren që udhëtonte nga Madridi drejt Seviljes u përplas me një tren tjetër që qëndronte i ndaluar në shina. Sipas regjistrimeve të publikuara nga mediat spanjolle, përfshirë El Pais dhe RTVE, një tren me shpejtësi të lartë duket se mori leje për të vijuar udhëtimin, megjithëse rreth 25 kilometra më përpara ndodhej një tren tjetër i ndaluar.
Treni i kompanisë private Iryo kishte ndaluar në zonën e Urda-s për shkak të një problemi me sistemin kompjuterik. Në këtë moment, kontrolli i situatës ishte marrë nga qendra e kontrollit hekurudhor në Madrid.
Në një prej regjistrimeve, operatori i qendrës së kontrollit i kërkon makinistit të trenit të kompanisë shtetërore Renfe të vijojë udhëtimin me shpejtësi normale, pasi ishin konstatuar disa probleme teknike.
“Vazhdoni udhëtimin dhe më pas ndiqni sinjalizimin anësor, me shpejtësi normale dhe në kushte normale operimi”, dëgjohet të thotë operatori.
Makinisti pyet nëse duhet të vazhdojë me shpejtësi normale, ndërsa operatori i përgjigjet: “Po”.
Në një tjetër regjistrim, makinisti i trenit Iryo njofton qendrën e kontrollit se kishte humbur komunikimin me sistemin e kontrollit të trenit dhe se mjeti kishte mbetur i ndaluar në Urda.
“Treni është i ndaluar përpara sinjalit hyrës në Urda”, dëgjohet të raportojë ai.
Pas disa komunikimeve, makinistit i kërkohet të rifillojë udhëtimin. Megjithatë, në një telefonatë të mëvonshme, ai njofton sërish se nuk mund ta vinte trenin në lëvizje, pasi sistemi i sigurisë nuk i lejonte të kontrollonte funksionet e tij.
Regjistrimi i fundit ngre pikëpyetje mbi atë që dinte qendra e kontrollit për gjendjen e trenit Iryo në momentin kur treni i Renfe-s po afrohej. Kompania Iryo deklaroi se treni i saj, në të cilin ndodheshin 147 pasagjerë, u godit nga pas nga treni i Renfe-s, i cili transportonte 397 pasagjerë.
Ministri spanjoll i Transportit, Oscar Puente, e cilësoi “të pashpjegueshëm” vendimin për t’i udhëzuar trenat të vijonin lëvizjen pa kufizime shpejtësie.
Ndërkohë, kryeministri Pedro Sanchez deklaroi se “e gjithë Spanja është në zi”, duke shprehur ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre.
Ekipet e emergjencës kanë punuar gjatë gjithë natës në vendngjarje, duke përdorur pajisje të posaçme për të prerë vagonët e dëmtuar dhe për të nxjerrë viktimat. Sipas Ministrisë së Brendshme spanjolle, në operacion janë angazhuar qindra efektivë, ndërsa për kërkimet janë përdorur edhe dronë dhe helikopterë.
Spanja ka shpallur tri ditë zie kombëtare për një nga aksidentet më të rënda hekurudhore në historinë moderne të Evropës. Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë dhe përgjegjësitë e mundshme.
Top Channel