Nick Kyrgios mundi bindshëm japonezin Yoshihito Nishioka në finalen e edicionit të 53 të turneut të përvitshëm në Citi Open, duke siguruar në këtë mënyrë edhe suksesin e parë pas plot tre vjetësh.
Në vitin 2019 në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara tenisti me origjinë greke mposhti në dy sete tepër të luftuar me tie break rusin Daniil Medvedev, që aktualisht kryeson në klasifikimin e përgjithshëm ATP, ndërsa këtë herë ndaj kundërshtarit të tij nipon Kyrgios zgjidhi gjithçka shpejt, sërish në vetëm dy sete. Një fitore shumë e rëndësishme për sportistin australian që e rikthen Kyrgios-in brenda 40 vendeve të para të renditjes botërore, për herë të parë pas dy vjetësh, ndërkohë pozicionimin e tij më të mirë në karrierë sportisti australian e ka pasur në tetorin e vitit 2016, kur preku vendin e 13 në klasifikim.
Në Kompleksin William FitzGerald Tennis Center në Washington D.C. Kyrgios u paraqit pa numër, pra jashtë 16 raketave të para të turneut. Tenisti me origjinë malajziane nga ana e nënës e nisi aventurën e tij në pozicionin e 63 në klasifikimin e përgjithshëm dhe mundi me radhë katër amerikanë si Marcos Giron, Tommy Paul, Reilly Opelka dhe Frances Tiafoe. Pikërisht me 24-vjecaring nga Marylandi që për momentin pozicionohet në vendin e 24 në rruzull Kyrgios humbi dhe setin e vetëm të këtij turneu, sfidë e fazës cerekfinale vërtet tepër e vështirë, ku sidoqoftë australiani I rezistoi furisë së tenistit vendas, duke mbijetuar në tie break-un e setit të dytë, që zgjati plot 26 pikë dhe ku sportisti me origjinë helene i anuloi pesë mundësi për ndeshjen tenistit Frances Tiafoe.
Për hir të së vërtetës, me një ecuri të tillë u kuptua qartë edhe përfundimi i këtij aktiviteti, pasi Nick Kyrgios ia doli mbanë për ta fituar atë, duke mos u thyer asnjëherë të vetme në turin e tij të shërbimit. Në pjesën e poshtme të shortit vetëm 20 orë pasi mundi 7-6, 6-3 në gjysmëfinale suedezin Mikael Ymer tenisti australian fitoi lehtë gjithashtu 6-4, 6-3 edhe në pengesën e fundit ndaj japonezit Nishioka, duke mbyllur llogaritë në finale në 1h 23’ gjithsej.
Kurioz është fakti që edhe në rrugëtimin e tij drejt triumfit të vitit 2019 Kyrgios hasi përsëri rivalin japonez. Tre vjet më parë në fazën e 1/8 sportisti australian e fitoi ndeshjen gjithashtu në vetëm dy sete, me shifrat 6-2, 7-5. Triumfi për herë të dytë në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara përfaqëson kështu fitoren e pestë rresht në po kaq sfida, në përballjet që Kyrgios ka pasur me Yoshihito Nishioka-n, pas fitoreve në Savannah, Atlanta, Tokyo dhe pikërisht Washington.
Një transformim i jashtëzakonshëm për sportistin australian, karriera e të cilit ka ndryshuar vërtet shumë përgjatë 12 muajve të fundit. Madje sportisti australian triumfoi në Washington D.C. gjithashtu edhe në edicionin e lojës dyshe, ku ai bashkoi forcat me amerikanin Jack Sock, duke fituar 7-5, 6-4 me ciftin Ivan Dodig – Austin Krajicek.
Falë 495 pikëve të përfituara në Washington Kyrgios pra u përmirësua me plot 26 pozicione, duke u ngjitur kështu deri në vendin e 37, në kuotën e 1.205 pikëve, gjithsesi plot 1810 pikë larg polakut Hubert Hurkacz, që mbyll renditjen e 10 tenistëve më të mirë në planet. Turneu 500 I fituar në Washington D.C. është i shtati në karrierë për australianin Nick Kyrgios, pas tri sukseseve të para të vitit 2016 në Marseille, Atlanta e Tokyo, ndërkaq në vitet 2018 e 2019 ai triumfoi edhe në Brisbane, Acapulco dhe Washington. Në krahun tjetër pavarësisht, humbjes në finale falë 300 pikëve të përfituara japonezi Yoshihito Nishioka u përmirësua me plot 42 pozicione, duke u katapultuar në vendin e 54, në klasifikimin e përgjithshëm ATP.
Sa për fituesin, Kyrgios duhet të fillojë përgatitjet në Montreal për një sfidë të madhe, duke pasur parasysh që nëse mposht në raundin hapës argjentinasin Sebastian Baez, 27-vjecari nga Canberra ka rastin për të matur forcat në turin e dytë pikërisht me numrin 1 të botës dhe kampionin në fuqi të Mastersit Kanadez, rusin Daniil Medvedev./ Super Sport
Top Channel